Deputetja e pavarur Marjana Koceku ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Hungarisë, Péter Magyar, gjatë pjesëmarrjes në Bled Strategic Forum, që u mbajt në Slloveni më 31 gusht dhe 1 shtator.
Magyar, lider i partisë TISZA, është një nga figurat më të rëndësishme të politikës hungareze dhe europiane. Në zgjedhjet parlamentare të prillit 2026, ai mposhti Viktor Orbán, duke i dhënë fund një periudhe 16-vjeçare të qeverisjes së këtij të fundit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Koceku ka ndarë disa momente nga pjesëmarrja e saj në forumin ndërkombëtar, ku diskutimet u përqendruan te zhvillimet në Europë, siguria, demokracia, ndryshimet gjeopolitike dhe e ardhmja e Ballkanit Perëndimor.
Deputetja thotë se gjatë dy ditëve në Bled pati mundësi të shkëmbente ide dhe të zhvillonte biseda me figura të politikës europiane dhe rajonale.
“Europa po përballet me rrethana dhe sfida të reja që kërkojnë ma shumë dialog e bashkëpunim. Shqipnia nuk qëndron jashtë këtyne sfidave, prandaj duhet me qenë gjithnji e ma e pranishme dhe me dhanë kontributin e vet pikërisht aty ku merr formë e ardhmja e përbashkët”, shkruan Koceku.
Bled Strategic Forum është një prej takimeve të rëndësishme politike në Europën Qendrore dhe Juglindore, ku çdo vit mblidhen drejtues politikë, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare dhe ekspertë për të diskutuar zhvillimet dhe sfidat me të cilat përballet kontinenti.

