Kryetari i Qarkut Shkodër, Edmond Ndou, ka reaguar pas polemikave të krijuara në futbollin shqiptar dhe veçanërisht pas ndeshjes së Vllaznisë në Elbasan.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ndou ka shprehur mbështetjen për klubin shkodran dhe tifozët kuqeblu, duke vënë theksin te nevoja për një garë të ndershme dhe vendimmarrje që respekton rregullat e lojës.
Sipas tij, futbolli në Shkodër është shumë më tepër se një sport, pasi lidhet ngushtë me traditën, pasionin dhe identitetin e qytetit.
Duke iu referuar situatës së krijuar në Elbasan, Ndou ka theksuar se rezultatet duhet të përcaktohen vetëm në fushën e lojës, pa ndikime të jashtme dhe pa presione.
Ai ka apeluar për respektimin e parimit të “Fair Play” dhe për një futboll që bashkon tifozët dhe rrit besimin te gara sportive.
Në fund të reagimit, kryetari i Qarkut Shkodër ka përcjellë edhe një mesazh mbështetjeje për skuadrën kuqeblu, duke e mbyllur me thirrjen: “Forca Vllaznia, forca djema kuq e blu!”

