Pasi një grua shtatzënë nga Pogradeci, M.K., ndërroi jetë së bashku me fëmijën gjatë transportit drejt Tiranës, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka dalë me një reagim zyrtar lidhur me ngjarjen tragjike.
Ministria ka shprehur ngushëllimet për familjen dhe të afërmit e viktimës, teksa shpreh keqardhjen për humbjen e jetës së saj.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale shpreh keqardhjen e thellë për humbjen e jetës së pacientes M.K. dhe i përcjell familjes dhe të afërmve ngushëllimet më të sinqerta”, citohet në deklaratën për shtyp.
Institucioni bën të ditur se ka nisur verifikimin e të gjitha procedurave të ndjekura në trajtimin dhe menaxhimin e këtij rasti, duke theksuar përgjegjësinë e plotë në këtë proces.
Për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes, Ministria ka kërkuar kryerjen e një vlerësimi të pavarur dhe të gjithanshëm të menaxhimit të rastit. Ky vlerësim do të shqyrtojë profesionalisht dhe paanshmërisht të gjithë kujdesin shëndetësor, që nga momenti i paraqitjes së pacientes deri në përfundimin e trajtimit.
Ministria përsërit angazhimin për transparencë dhe përgjegjësi, duke saktësuar se rezultatet e vlerësimit do të trajtohen me seriozitet të lartë.
“Nëse evidentohen parregullsi apo mangësi në ndjekjen e rastit, do të merren të gjitha masat e nevojshme, në përputhje me ligjin dhe standardet profesionale”, thuhet më tej nga MSHMS.
Gjithashtu, në deklaratën zyrtare, Ministria thekson se siguria e nënës dhe garantimi i kujdesit obstetrikal të shpejtë, cilësor dhe në përputhje me standardet mbeten detyrime të panegociueshme për sistemin shëndetësor.

