Një konflikt mes katër personave ka përfunduar me dy të plagosur dhe dy të arrestuar në Korçë. Ngjarja ndodhi rreth orës 19:00, pas një konflikti për motive të dobëta. Gjatë përplasjes, dy prej personave kanë pësuar dëmtime të lehta dhe kanë marrë ndihmë mjekësore në spitalin e Korçës.
Sipas policisë, gjatë konfliktit është dëmtuar edhe një automjet, të cilit i janë thyer xhamat me një lopatë metalike me bisht druri.
Në përfundim të veprimeve hetimore, policia arrestoi në flagrancë dy vëllezër, 32 dhe 28 vjeç, të dyshuar për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, “Prishja e qetësisë publike”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Shkatërrimi i pronës”. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

