Peter Cullen, aktori kanadez i njohur për zërin karakteristik të Optimus Prime në “Transformers” dhe për interpretimin e gomarit Eeyore në “Winnie the Pooh”, ka ndërruar jetë në moshën 85-vjeçare.
Cullen u shua të mërkurën në banesën e tij në Los Angeles, i rrethuar nga familjarët. Lajmi u bë publik nga familja përmes një deklarate, në të cilën aktori u vlerësua si i dashur mes miqve dhe i adhuruar nga miliona fansa anembanë globit.
Roli që e bëri të pavdekshëm ishte ai i Optimus Prime, udhëheqësit heroik me zë të thellë të “Transformers”, të cilin Cullen e solli në jetë për herë të parë më 1984 në serialin televiziv.
Cullen riktheu këtë rol edhe në disa filma të mëvonshëm të Hollywood-it, duke e shndërruar zërin e tij në një nga më ikonikët në historinë e animacionit.
Ai gjithashtu mbetet i paharrueshëm për interpretimin e Eeyore, gomarit plogësht dhe pesimist nga “Winnie the Pooh”. Cullen e huazoi zërin në serialin “The New Adventures of Winnie the Pooh”, si dhe në projekte të shumta televizive, filma dhe videolojëra.
Gjatë dekadave të karrierës, Cullen ka dhënë zërin për shumë personazhe të tjerë të njohur, përfshirë versionin negativ të KITT-it në “Knight Rider”, vokalizimet e Predator në filmin e vitit 1987 si dhe zërin e King Kong në versionin e vitit 1976 të filmit.
Frymëzimi për Optimus Prime
Portretizimi i veçantë i Optimus Prime u frymëzua drejtpërdrejt nga vëllai i madh i Cullen, një marins amerikan dhe veteran i dekoruar i Luftës së Vietnamit.
Ai i kishte këshilluar Cullen që t’i jepte personazhit dimensionin e “një heroi të vërtetë”, dhe jo ta interpretonte si “një hero të Hollywood-it”.
Kjo këshillë ndihmoi të formësohej karakteri i Optimus Prime. Cullen ka rrëfyer se gjatë audicionit, zëri i vëllait të tij i qëndronte gjithmonë në mendje, duke i lehtësuar gjetjen e tonalitetit të personazhit.
Madje, ai i dhuroi vëllait të tij një pjesë të të ardhurave që merrte nga interpretimi i Optimus Prime, gjest që vazhdoi deri në ndarjen e tij nga jeta.
Një karrierë e jashtëzakonshme
Ishte televizioni dhe radioja në Kanada që shënuan fillimet e Cullen, përpara se të shfaqej në spektakle si “The Sonny & Cher Show” dhe më pas të përqendrohej kryesisht në aktrimin me zë.
Ai ishte pjesë e shumë serialeve ikonike të animuara gjatë viteve ’80 dhe ’90, ndër të cilat “Chip ‘n Dale Rescue Rangers”, “Spider-Man”, “Donkey Kong”, “Alvin & the Chipmunks”, “Dungeons & Dragons”, “My Little Pony”, “DuckTales” dhe “Gummi Bears”.
Cullen fitoi një nominim për Daytime Emmy në vitin 2011 për zërin e Optimus Prime. Në vitin 2023, ai u nderua me një çmim për arritje të jetës në Çmimet Emmy për Fëmijë dhe Familje.
Familja e tij i ka bërë thirrje komunitetit të nderojë trashëgiminë e Cullen duke shërbyer të tjerëve dhe duke frymëzuar me dhembshuri, integritet dhe besnikëri.
Peter Cullen largohet nga jeta pas një karriere që zgjati dekada, me zërin e tij të lidhur ngushtë me disa nga personazhet më të dashur të botës së animacionit.

