Hita policëve të rinj: Shërbejuni qytetarëve me përulësi, arroganca është fundi i rrugëtimit tuaj

Publikuar me datë:

Policisë së Shtetit iu shtuan sot 389 efektivë të rinj, ndërsa drejtori i përgjithshëm, Skënder Hita, e vlerësoi këtë si një ditë të rëndësishme si për institucionin që ai drejton ashtu edhe për qytetarët.

“Busulla juaj në këtë mision duhet të ketë vetëm tri drejtime. Në drejtim të ligjit, në shërbim të qytetarëve dhe në përmbushjen e amanetit të Dëshmorëve të Policisë së Shtetit njëherazi Dëshmorë të Atdheut”, apeloi Hita.

Fjala e plotë:

I nderuar rektor i Akademisë së Sigurisë, Drejtor i Kolegjit Profesional të Arsimit Policor dhe pedagogë,
Të nderuar partnerë,
Të nderuar kolegë të sapocertifikuar,

Sot, për Policinë e Shtetit dhe për qytetarët, shënohet një moment i veçantë. Qindra djem dhe vajza, pasi kanë përfunduar me sukses studimet në Kolegjin Profesional të Arsimit Policor, i bashkohen tashmë forcës sonë, të gatshëm për të qenë në terren në shërbim të shoqërisë dhe mbrojtjes së ligjit.

Ju shpreh mirënjohje për përzgjedhjen që keni bërë, për disiplinën tuaj, për arritjet në teori dhe praktikë, si dhe për vendosmërinë që ju çoi në përfundim të këtij faze të parë. Nga sot nisni një rrugëtim të ri, të gjatë dhe me sfida, në realizim të misionit të lartë që i është besuar Policisë së Shtetit.

Shqipëria, qytetarët dhe vetë institucionet e sigurisë kanë nevojë për energjitë tuaja dhe frymën e re evropiane që sillni ju. Prandaj, ky çertifikim i juaji është lajm i mirë për shoqërinë.

Pos pritshmërive të larta që kanë të gjithë për ju, dua të ju përcjell edhe disa këshilla që besoj do t’ju shoqërojnë gjatë aktivitetit tuaj të përditshëm.

Busulla juaj në këtë mision duhet të ketë vetëm tri drejtime. Në drejtim të ligjit, në shërbim të qytetarëve dhe në përmbushjen e amanetit të Dëshmorëve të Policisë së Shtetit njëherazi Dëshmorë të Atdheut.

Këto parime mos i lini kurrë pas dore, pavarësisht sfidave apo tundimeve që mund të hasni. Nëse humbni busullën, humbisni qytetarin, dinjitetin, dhe rruga më pas zbehet e mund të të çojë drejt dritëhijeve ose errësirës.

Ju do të jeni të parët që do të takoni qytetarët dhe do të shërbeni në çdo zonë të vendit, gjatë gjithë kohës, për të parandaluar e goditur paligjshmëritë, si dhe për t’u ardhur në ndihmë jo vetëm shqiptarëve, por edhe vizitorëve dhe turistëve të huaj.

Qytetarëve u shërbeni me përulësi, ndërsa kundër shkelësve të ligjit veproni me vendosmëri dhe në përputhje me ligjin. Çdo padrejtësie dhe paligjshmërie ndaj përgjigjuni me kurajo, paanshmëri e saktësi, por gjithnjë brenda kufijve të rregullave ligjore.

Fuqinë tuaj rinore përdoreni në shërbim të të mirës së përbashkët dhe për të ngritur më tej performancën e Policisë.

Mos harroni: arroganca është fundi i rrugëtimit tuaj profesional. Cilado situatë që të hasni, asnjëherë mos tregoni arrogancë ndaj qytetarëve që respektojnë ligjin.

Misioni ynë është të dëgjojmë, të ndjekim procedurat dhe t’i japim qytetarit një përgjigje sipas ligjit, pa krijuar perceptimin se jemi të njëanshëm, arrogantë apo të paaftë.

Kurrë mos ia bëni këtë dëm Policisë së Shtetit, e cila, pa besimin dhe përkrahjen e qytetarëve, nuk mund të realizojë misionin e saj.

Shmangni çdo ofertë apo propozim që lidhet me bashkëpunim me krimin. Mund t’ju duket një rrugë e lehtë, por pasojat janë të rënda dhe të parikthyeshme. Uniforma, imazhi dhe e ardhmja juaj vlejnë më shumë se çdo përfitim të çastit. Besimi i qytetarëve dhe nderi i uniformës janë mbi çdo gjë.

Kryeni detyrat tuaja me pasion dhe përgjegjësi. Respektoni kolegët, pasi suksesi ndërtohet së bashku. Besoni se me ndershmëri do të keni mundësi për karrierë. Ndoshta, nesër dikush prej jush do të mbajë fjalimin, do të japë këshilla e do të motivojë gjeneratat e ardhshme të Policisë së Shtetit.

Ju falënderoj për arritjet tuaja. Do të jem çdo ditë mirënjohës për secilin që zbaton ligjin dhe respekton qytetarët, ashtu si do të jem i palëkundur kundër atyre që devijojnë nga ligji dhe etika.

Mirë se vini në Policinë e Shtetit, dhe ju uroj që këtë ditë ta kujtoni gjithmonë si nisjen e një misioni të madh.

Keni mbështetjen time të plotë; mos hezitoni të më shkruani për çdo shqetësim apo ide për përmirësimin e punës, apo edhe për çështje personale, pasi kapitali më i madh i Policisë së Shtetit jeni ju, burimet tona njerëzore.

Mbani me krenari këtë uniformë të shenjtë të sigurisë dhe shërbimit ndaj Republikës së Shqipërisë dhe qytetarëve të saj.

Punoni me përkushtim, respektoni ligjin dhe qëndroni përherë afër qytetarëve.

Ju dëshiroj suksese dhe fat në detyrën e re dhe në jetën tuaj familjare!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related