Vllaznia e nisi me një rezultat zhgënjyes sezonin e ri të Abissnet Superiore, duke barazuar 2-2 me Skënderbeun në “Loro Boriçi”. Shkodranët patën avantazhin e dy golave, por nuk arritën ta administronin deri në fund.
Ish-futbollisti dhe trajneri i ekipeve të moshave të Vllaznisë, Florind Bardulla, e lidh këtë nisje me ndryshimet që ka pësuar skuadra gjatë merkatos. Sipas tij, një grup me elementë të rinj ka nevojë për kohë për të krijuar automatizmat dhe ekuilibrin e nevojshëm në fushë.
Megjithatë, Bardulla thekson se në një kampionat të gjatë, sidomos në javët e para, rezultati dhe grumbullimi i pikëve mbeten faktorë shumë të rëndësishëm.
Në vlerësimin për kundërshtarët, ai sheh Egnatian si një prej skuadrave më të forta të kampionatit, duke pasur parasysh edhe titullin e fituar sezonin e kaluar. Për pjesën tjetër të ekipeve, Bardulla mendon se diferencat janë të vogla dhe gara mund të zhvillohet në një kampionat mjaft të balancuar.
Pas hapit të gabuar ndaj Skënderbeut, Vllaznia do të kërkojë tri pikët e para në javën e dytë. Kuqeblutë do të udhëtojnë drejt Elbasanit, ku i pret një tjetër sfidë e rëndësishme për të treguar reagimin pas barazimit në Shkodër.

