Shërbimi Sekret i Shteteve të Bashkuara ka bërë të ditur se është i informuar për një video të publikuar nga televizioni shtetëror iranian, në të cilën duket se shfaqet një kërcënim ndaj jetës së Barron Trump, djali më i vogël i Presidentit Donald Trump.
Prej kohësh, media të ndryshme iraniane kanë vazhduar të transmetojnë materiale që synojnë presidentin amerikan dhe familjarët e tij, veçanërisht pas vrasjes së ish-udhëheqësit suprem Ayatollah Ali Khamenei dhe anëtarëve të familjes së tij, në fillim të konfliktit SHBA-Izrael me Iranin në shkurt. Kjo shënon rastin e parë kur emri i Barron Trump përmendet në mënyrë të drejtpërdrejtë si një shënjestër.
Videoja, e cila zgjat tre minuta, hapet me një grafik në gjuhën angleze ku lexon: “Where to kill Barron Trump?!”, (Ku të vrasim Barron Trump). Ajo përfshin gjithashtu pamje nga vendndodhje të njohura ku ai qëndron, përfshirë Trump Tower në Nju Jork. Në përfundim të videos, narratori shpreh se njerëzit “po presin me padurim të marrin shpërblimin prej 10 milionë dollarësh”.
Sipas një burimi federal, videoja është pjesë e një fushate iraniane që ka në shënjestër familjen Trump, duke vënë në pah detaje të lëvizjeve të tyre dhe duke dhënë sugjerime për vrasje. Shërbimi Sekret deklaroi se kërcënimet ndaj individëve të mbrojtur hetohen rigorozisht, por informacionet mbi procedurat mbrojtëse nuk publikohen për arsye sigurie.
Presidenti Trump ka folur hapur për rrezikun nga kërcënimet iraniane kundër jetës së tij, duke i cilësuar ata si “njerëz të ligë e të sëmurë”. Këto deklarata ai i bëri gjatë samitit të NATO-s në Turqi, përpara se të largohej në fshehtësi me një aeroplan ushtarak alternativ, pasi autoritetet trajtuan me serioz një kërcënim specifik. Qeveria amerikane ka tërhequr vëmendjen prej kohësh për mundësinë që Irani të përpiqet të vrasë Trump, veçanërisht pas sulmit ajror që eliminoi gjeneralin iranian Qasem Soleimani në vitin 2020.
Gjatë ceremonisë së varrimit të Khameneit në muajin korrik, përkrahësit e regjimit iranian shfaqnin postera me mbishkrimin “Kill Trump” (Vrit Trump) dhe ofronin shpërblime për ata që kërkojnë hakmarrje. Që prej Revolucionit Islamik të vitit 1979, tubimet e sponsorizuara nga autoritetet iraniane kanë qenë të mbushura me slogane anti-amerikane, si “Vdekje Amerikës” dhe skena të djegies së flamurit amerikan.

