“Na thavi, krahin”/ I mbijetuari rrëfen tmerrin në Dukagjin: U shtriva në makinë, prita të largoheshin autorët

Publikuar me datë:

“Na thavi, krahin”. Kjo ka qenë fjalia e parë që Lazër Bashi ka thënë në telefon, pak pasi ka arritur të largohet nga vendi ku Prelë dhe Lekë Gjoni, babë e bir, u ekzekutuan me armë zjarri në Dukagjin.

Bashi ishte personi i tretë që ndodhej në automjet në momentin e atentatit.

Ai kishte hipur rastësisht në fuoristradën ku udhëtonin dy viktimat dhe ndodhej në pjesën e pasme të saj kur automjeti u përfshi nga breshëria e plumbave.

Autorët, të cilët dyshohet se kanë përdorur dy armë zjarri, një automatik kallashnikov dhe një MP5, kanë qëlluar në drejtim të automjetit duke shkrehur mbi 50 plumba.

Prelë dhe Lekë Gjoni kanë mbetur të vrarë në vend, ndërsa Bashi, pavarësisht se ishte brenda automjetit, ka mundur të mbijetojë.

Në momentin e të shtënave, ai është shtrirë në pjesën e pasme të fuoristradës. Megjithatë, një plumb e ka kapur në shpatull.

Pas breshërisë së armëve, Bashi ka qëndruar për disa minuta i shtrirë, duke pritur që autorët të largoheshin. Automjeti kishte humbur kontrollin dhe ishte kthyer në njërën anë, por i plagosuri ka arritur të dalë prej tij.

Një nga gjërat për të cilat është siguruar menjëherë ka qenë telefoni celular.

Por arratisja dhe kërkimi për ndihmë nuk kanë qenë të lehta. Vendi ku ndodhi atentati nuk ka mbulim telefonik dhe Bashi nuk ka pasur mundësi të telefonojë menjëherë për të kërkuar ndihmë.

Me plagën në shpatull dhe duke humbur gjak, ai ka nisur të ecë në këmbë.

Për rreth 40 minuta ka përshkuar afro 2 kilometra në terrenin e vështirë të Dukagjinit, derisa ka mbërritur pranë një lokali pas kryqëzimit ku rruga e Pultit lidhet me atë të Shoshit.

Aty ka mundur të telefonojë një të afërm.

Fjalët e para që ka thënë në telefon kanë qenë: “Na thavi, krahin”.

Vetëm pas mbërritjes në këtë pikë, Bashi ka mundur të tregojë se çfarë kishte ndodhur.

Ai ka shpjeguar se ndodhej rastësisht në automjet me Prelë dhe Lekë Gjonin dhe se të dy kishin humbur jetën në vend nga breshëria e plumbave.

I plagosuri ka pastruar gjakun që i rridhte nga plaga pranë një çezme në afërsi të lokalit dhe ka pritur që të sigurohej transporti drejt Spitalit Rajonal të Shkodrës.

Humbja e konsiderueshme e gjakut gjatë gjithë kësaj kohe ka bërë që, pas marrjes së ndihmës së parë në Shkodër, ai të dërgohej për mjekim më të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Aktualisht, Bashi ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, policia e Shkodrës dhe prokuroria vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të vrasjes së dyfishtë.

Deri tani nuk ka një autor të identifikuar. Efektivët kanë shoqëruar disa persona për t’i marrë në pyetje, por ende nuk ka të dhëna konkrete që të çojnë te autorët e mundshëm të atentatit.

Një prej pistave që po hetohet lidhet me divorcin e Lekë Gjonit, i cili kishte përfunduar rreth tre muaj më parë. Një tjetër pistë lidhet me një konflikt të ndodhur disa vite më parë.

Megjithatë, familjarët kanë deklaruar se nuk kanë dijeni për ndonjë konflikt të kohëve të fundit apo kërcënime ndaj 57-vjeçarit.

Lekë Gjoni, i cili konsiderohet objektivi kryesor i atentatit, punonte me një kamion duke transportuar materiale ndërtimi, ndërsa merrej edhe me punë me eskavator në zonën e Dukagjinit.

Sipas të dhënave të mbledhura deri tani, ai nuk njihej si person problematik dhe lëvizte çdo ditë në zonë pa ndonjë shqetësim të raportuar.

Prelë Gjoni, 82 vjeç, dhe djali i tij Lekë Gjoni, 57 vjeç, po ktheheshin nga banesa e vjetër në Dukagjin, ku mbanin disa koshere bletësh, në drejtim të Shkodrës.

Në rrugën e Xhanit, ata u zunë në pritë dhe u qëlluan me armë zjarri.

Terreni i thepisur malor, vështirësia për të lëvizur në zonë dhe mungesa e kamerave të sigurisë janë ndër faktorët që po e vështirësojnë ndjeshëm punën e grupit hetimor.

Policia dhe prokuroria po vijojnë mbledhjen e provave dhe dëshmive për të rindërtuar dinamikën e plotë të atentatit, për të përcaktuar motivin dhe për të identifikuar autorët e vrasjes së Prelë dhe Lekë Gjonit, si dhe plagosjes së Lazër Bashit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related