Inovacion kundër kancerit, vaksina me mRNA tregon rezultate premtuese te melanoma

Publikuar me datë:

Një vaksinë inovative kundër kancerit, që përdor teknologjinë mRNA, ka dhënë shpresa të reja në parandalimin e përsëritjes së melanomës – një ndër format më të rrezikshme të kancerit të lëkurës.

Sipas BBC, vaksina intis-meran, e zhvilluar nga kompanitë farmaceutike Merck & Co. (MSD) dhe Moderna, është testuar te persona me melanoma me rrezik të lartë në kombinim me Keytruda, një ilaç imunoterapie që tashmë përdoret në mjekimin e këtij lloji kanceri.

Rezultatet treguan se shtimi i vaksinës në trajtimin standard me Keytruda zgjati ndjeshëm periudhën në të cilën pacientët mbetën pa shenja të sëmundjes dhe uli ndjeshëm shanset që tumori të përhapej në pjesë të tjera të trupit.

Për këtë studim klinik në fazën e tretë u përfshinë mbi 1,000 pacientë që vuajnë nga melanoma në fazat e dyta, të treta apo të katërta, të cilët përbënin grupin me rrezik të madh për përsëritje ose përhapje të kancerit.

Secila vaksinë është përgatitur në mënyrë individuale për secilin pacient. Studiuesit analizuan mostrat e tumorit të nxjerrë kirurgjikisht dhe sekuencuan ADN-në për të identifikuar mutacionet unike. Më pas, përmes teknologjisë mRNA, sistemi imunitar udhëzohet për të njohur dhe luftuar qelizat kancerogjene që ende mund të jenë të pranishme në trup.

Edhe pse këto të dhëna përbëjnë një zhvillim premtues në përballjen me kancerin, specialistët theksojnë nevojën për kujdes, pasi rezultatet përfundimtare të studimit nuk janë publikuar dhe vlerësuar ende nga komuniteti i ekspertëve të pavarur.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related