Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas përplasjes së djeshme mes policisë dhe protestuesve, duke dënuar përdorimin e forcës nga efektivët dhe duke kërkuar lirimin e 14 personave të arrestuar.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Bardhi e cilëson protestën si një akt të 95 ditëve të rezistencës qytetare dhe akuzon qeverinë se, përballë mungesës së argumenteve, po i përgjigjet protestuesve me polici dhe dhunë. Sipas tij, përdorimi i forcës nuk mund të ndalë një protestë dhe as të shuajë kërkesat e qytetarëve.
REAGIMI
95 ditë protestë. 95 ditë rezistencë. Dhe përgjigjja e qeverisë? Dhunë dhe polici! Kur një pushtet nuk ka më argumente, përdor forcën. Kur nuk dëgjon më qytetarët, përpiqet t’i trembë. Por qytetarët nuk tremben. Një protestë nuk tërhiqet zvarrë. Një e drejtë nuk arrestohet. Një popull nuk heshtet me dhunë.
Ky nuk është pushteti i forcës. Është pushteti që ka frikë nga qytetarët. Dhe frika e një qeverie është zëri i një populli që nuk dorëzohet. Dënoj me forcë keqpërdorimin e Policisë së shtetit, dhunën ndaj protestuesve dhe kërkoj lirimim e menjëhershëm të 14 protestuesve të arrestuar padrejtësisht.

