Rezana Çeliku, një emër i njohur i artit, kinemasë dhe televizionit shqiptar, është ndarë nga jeta. Çeliku u bë një nga figurat më të shquara të ekranit gjatë viteve ’70 dhe ’80, duke u bërë pjesë e memorjes kulturore shqiptare.
Hyrja e saj në skenën kinematografike dhe të spektaklit ndodhi krejt papritur. Edhe pse nuk kishte ndjekur studime për aktore, në sytë e regjisorëve ajo spikati për natyralitetin, pamjen e pëlqyeshme dhe mënyrën e të folurit. Përpara se të hynte në filma, Çeliku kishte prezantuar disa festivale rinore në Televizionin Shqiptar.
Gjatë karrierës në kinematografi, Rezana Çeliku u angazhua në disa prej filmave më të njohur të asaj kohe. Ajo u kujtua veçanërisht për rolin e partizanes në filmin “Ata ishin katër”, me regji nga Kujtim Çashku, si dhe për portretizimin e mësueses në “Shokë të një skuadre”.
Më 1989, Çeliku mori pjesë në filmin “Një djalë dhe një vajzë”, ku luajti një centraliste. Personazhi i saj, i cili përjetonte një lidhje me një djalë më të ri, u konsiderua si një rol i guximshëm për kohën dhe shkaktoi diskutime të asaj periudhe. Ky film shënoi edhe daljen e saj të fundit në kinemanë shqiptare.
Pas përfundimit të karrierës si aktore dhe si mësuese në zonat rurale të Tiranës, ajo vendosi t’i përkushtohej studimeve të mëtejshme, duke përfunduar studimet në Ekonomi dhe Juridik. Më pas, Çeliku zhvilloi një karrierë të gjatë në administratën publike, ku për shumë vite shërbeu në Drejtorinë për Marrëdhëniet me Publikun në Bashkinë e Tiranës.
Gjatë një interviste të vitit 2011 për “Unë Gruaja” të gazetës “Panorama”, Rezana Çeliku ndau mendimet edhe për aspektet personale të jetës së saj.
Në atë intervistë, ajo rrëfente se kishte zgjedhur të mos martohej dhe se pengu më i madh i saj ishte mungesa e një fëmije, të cilin e konsideronte thelbin e vërtetë të një familjeje.
Humbja e Rezana Çelikut përbën një tjetër boshllëk për artin dhe televizionin shqiptar, të cilët kanë humbur një nga përfaqësueset më të veçanta të një brezi që la gjurmë të thella në ekran dhe në kujtesën e publikut.

