Policia ka finalizuar operacionin e koduar “Gold”, duke arrestuar një 35-vjeçar nga Laçi, i dyshuar si një nga autorët e vjedhjes së bizhuterive në një argjendari në Kamëz.
Ngjarja është regjistruar më 5 gusht, ndërsa pas disa javësh hetime, specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 5 kanë mundur të identifikojnë dhe arrestojnë një nga personat e dyshuar.
Në pranga ka rënë A. K., 35 vjeç, banues në Laç. Sipas policisë, ai dyshohet se ka kryer vjedhjen në bashkëpunim me një person tjetër, i cili ende nuk është identifikuar. Pas ngjarjes, autorët dyshohet se janë larguar me një motomjet.
Gjatë hetimeve, policia ka sekuestruar një armë zjarri automatike dhe një krehër me fishekë, si dhe pajisje e veshje që dyshohet se janë përdorur gjatë grabitjes. Mes sendeve të sekuestruara janë një skafandër motoçiklete, dy maska silikoni, doreza dhe veshje të tjera.
Më 6 gusht, në një zonë të pyllëzuar në fshatin Zgafnur, janë gjetur arma, municioni, skafandra, maskat, dorezat dhe veshjet. Ndërsa tre ditë më vonë, në zonën e njohur si “Liqeni i Qinamit”, në fshatin Qinam, është gjetur edhe motomjeti që dyshohet se është përdorur gjatë vjedhjes.
Policia vijon hetimet për identifikimin e bashkëpunëtorit të dytë dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Materialet i janë dërguar Prokurorisë së Tiranës për veprat penale “Vjedhja me dhunë e kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”.

