Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 33 vatra zjarri, nga të cilat 8 mbeten aktive dhe 5 janë në monitorim. Ndër vatrat aktive janë ajo në Malin e Dajtit dhe Gurë- Lurë të Dibrës.
Vatrat kryesore aktive, sipas ministrisë së Mbrojtjes
* Mali i Dajtit, Tiranë – vijon puna me 15 efektivë të MZSH, 10 forca të ADZM, 50 efektivë të FA dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore. Nuk ka rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, vatrat në Priskë dhe Vakumone janë nën kontroll dhe po monitorohen.
* Gurë-Lurë, Dibër – vijon një angazhim i gjerë me 115 forca bashkiake, 13 policore, 11 ADZM, 14 efektivë MZSH, 7 vullnetarë dhe 50 efektivë të FA, të mbështetur nga 2 avionë Air Tractor. Korridoret e hapura në terren kanë penguar përhapjen e zjarrit drejt banesave dhe aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.
* Qafë Helmës dhe Bruç – puna vijon në terren të vështirë; nga krahu i Bulqizës zjarri në Qafë Helmës është fikur dhe mbetet aktiv vetëm drejt Selishtës. Në të dyja zonat nuk raportohet rrezik për banesat.
* Lufaj, Mirditë – vijon puna e forcave operacionale pas hapjes së korridoreve ndarëse, me mbështetje edhe nga 1 helikopter i Forcës Ajrore.
* Fushë-Lajë, Pukë – në operacion janë 10 efektivë zjarrfikës, 16 forca bashkiake dhe 40 efektivë të FA. Zjarri nuk paraqet intensitet të lartë dhe nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në Rrjoll, situata monitorohet nga afër edhe me dron dhe po ashtu nuk ka rrezik për banesat.

