Sipërmarrësi, Klodian Allajbeu ka reaguar pas deklaratave të bëra lidhur me shërbimin e hemodializës dhe përmendjes së emrit të tij si një përfitues i mundshëm i procedurave të ardhshme, duke mohuar çdo interes të tij apo të kompanive të lidhura me të në këtë proces.
Në reagimin e tij, duke iu përgjigjur PD-së, Allajbeu e cilëson periudhën kur ka qenë i përfshirë në koncesionin e hemodializës si një histori suksesi, duke theksuar investimet në infrastrukturë, pajisje dhe kualifikimin e personelit, që sipas tij bënë të mundur ofrimin e shërbimit pranë vendbanimeve të pacientëve dhe sipas standardeve ndërkombëtare.
Megjithatë, ai thekson se prej më shumë se tetë vitesh koncesioni është shitur dhe ka kaluar në pronësi dhe menaxhim të kompanisë suedeze Diaverum, të cilën e përshkruan si një nga operatorët më të mëdhenj europianë në fushën e hemodializës.
“Që nga momenti i shitjes, unë personalisht dhe asnjë kompani e lidhur me mua nuk kemi pasur dhe nuk kemi asnjë pronësi, interes ekonomik, rol administrativ apo përfshirje në menaxhimin e këtij koncesioni”, shprehet Allajbeu.
Duke iu referuar procedurës së re për ofrimin e shërbimit të hemodializës, ai deklaron se as vetë dhe as kompanitë e lidhura me të nuk kanë interes të marrin pjesë në ndonjë procedurë konkurrimi, aktualisht apo në të ardhmen.
Për këtë arsye, Allajbeu i cilëson si të pabazuara aludimet e PD, se procedura e ardhshme mund të ketë si përfitues atë, Spitalin Amerikan apo kompani të lidhura me të.
Ai thekson se debati mbi mënyrën e organizimit të shërbimit të hemodializës, kostot, kriteret e prokurimit dhe transparencën e procedurave është legjitim, por sipas tij duhet të zhvillohet mbi dokumente dhe fakte.
Reagimi i plotë i Klodian Allajbeut ;
Në lidhje me deklaratat e bëra sot për shërbimin e hemodializës dhe përmendjen e emrit tim si një përfitues i mundshëm i procedurave të ardhshme, e konsideroj të nevojshëm një sqarim publik.
Koncesioni i hemodializës, në periudhën kur kam qenë i përfshirë në të, përbën një histori suksesi për mënyrën se si ky shërbim u zgjerua dhe u modernizua në Shqipëri.
Investimet në infrastrukturë dhe pajisje, si edhe përgatitja dhe kualifikimi i personelit, bënë të mundur që pacientët ta merrnin këtë shërbim jetik pranë vendbanimeve të tyre dhe sipas standardeve ndërkombëtare.
Por ka një fakt thelbësor që duhet sqaruar.
Prej më shumë se tetë vitesh, koncesioni është shitur dhe ka kaluar në pronësi dhe menaxhim të Diaverum, kompani suedeze dhe operatori me i madh europian në hemodializë.
Që nga momenti i shitjes, unë personalisht dhe asnjë kompani e lidhur me mua nuk kemi pasur dhe nuk kemi asnjë pronësi, interes ekonomik, rol administrativ apo përfshirje në menaxhimin e këtij koncesioni.
Po aq qartë dua të sqaroj edhe çështjen e procedurës së re për shërbimin e hemodializës, e cila është bërë sot objekt debati.
As unë dhe as kompanitë e lidhura me mua nuk kemi interes dhe nuk synojmë të marrim pjesë, tani apo në të ardhmen, në asnjë procedurë konkurrimi për ofrimin e këtij shërbimi, i cili tashmë ka kaluar nën përgjegjësinë e OSHIS.
Për rrjedhojë, çdo aludim se tenderi i ardhshëm mund të ketë si përfitues mua, Spitalin Amerikan apo kompani të lidhura me mua, nuk qëndron.
Debati mbi mënyrën se si shteti do ta organizojë shërbimin e hemodializës, kostot, kriteret e procedurave të prokurimit dhe transparencën e tyre është legjitim dhe duhet të zhvillohet mbi dokumente dhe fakte.
Por është po aq e rëndësishme që në këtë debat të mos krijohen lidhje me persona apo kompani që prej vitesh nuk kanë më asnjë interes ekonomik apo administrativ në koncesion dhe nuk kanë interes për procedurën e re.
Ky sqarim bëhet pikërisht për këtë arsye, për të vendosur faktet në vend dhe për të shmangur çdo keqinterpretim apo spekulim.

