Në Elbasan, policia ka arrestuar një 52-vjeçar, i dyshuar për tentativë vrasjeje me armë zjarri ndaj 50-vjeçarit Ermir Këndezi, jashtë një lokali në lagjen “28 Nëntori”.
Burime zyrtare bëjnë me dije se personi i ndaluar është Poli Borici, 52 vjeç.
“Ngjarja është regjistruar rreth orës 13:00, kur Policia ka marrë njoftim se një shtetas kishte tentuar të vriste me armë zjarri shtetasin E. K., 50 vjeç. Menjëherë pas marrjes së informacionit, shërbimet e Policisë kanë nisur veprimet për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Reagimi”, uniformat blu kanë bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e shtetasit P.B; 52 vjeç, i dyshuar si autor i ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.
Forcat e rendit gjatë kontrollit në vendngjarje kanë sekuestruar edhe armën e zjarrit të llojit pistoletë, me të cilën dyshohet se Poli Boriçi ka tentuar të qëllojë Ermir Këndezi.
Nën drejtimin e Prokurorisë, hetimet dhe procedurat ligjore për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin e ngjarjes janë në vijim.

