Shpresat për të mbijetuar po veniten! Vijojnë kërkimet nën rrënoja në Kolumbi, 287 të vdekur dhe 379 të zhdukur

Publikuar me datë:

Ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet në zonat e prekura nga tërmeti i fuqishëm që goditi Kolumbinë të hënën, ndërsa numri i viktimave ka shkuar në 287 dhe 379 persona rezultojnë ende të zhdukur. Tërmeti me magnitudë 7.4 ballë goditi kryesisht bregdetin e Paqësorit dhe rajonin e prodhimit të kafesë në perëndim të vendit. Rreth 4 mijë persona janë plagosur, ndërsa afro 13 mijë banesa janë dëmtuar ose shkatërruar.

Në ditën e gjashtë të operacioneve, ekipe profesioniste dhe vullnetare po kontrollojnë ndërtesat e shembura në kërkim të të mbijetuarve. Ndërkohë, në zonat ku autoritetet kanë përjashtuar mundësinë e mbijetesës, makineritë e rënda kanë nisur largimin e rrënojave.

Në disa prej zonave më të prekura, familjarët vijojnë të presin lajme për të afërmit e tyre. Funeralet kanë nisur, ndërsa autoritetet po përballen edhe me vështirësi në menaxhimin e trupave. Në qytetin e Cali-t, një pjesë e morgut është shembur dhe trupat po transportohen në një morg në Palmyra, rreth 30 kilometra larg. Familjarë të shumtë janë paraqitur për identifikimin e të afërmve të tyre. Presidenti Abelardo de la Esprieja ka vizituar zonat e prekura dhe ka premtuar mbështetje për familjet që kanë mbetur pa banesa, përfshirë ndihmë për pagesën e qirave.

Në të gjithë vendin janë organizuar grumbullime ndihmash. Qytetarët po mbledhin ushqime, ujë, ilaçe dhe veshmbathje për familjet e prekura, ndërsa në Bogota janë ngritur pika të posaçme për grumbullimin e ndihmave.

Edhe komuniteti ndërkombëtar ka njoftuar mbështetje për Kolumbinë. Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar një paketë të re ndihme prej 11 milionë dollarësh, duke e çuar kontributin total në 26.5 milionë dollarë. Ndërkohë, Banka Botërore ka deklaruar se synon të mobilizojë 200 milionë dollarë për ndihmë dhe rimëkëmbjen pas tërmetit. Në zonat e prekura, mijëra banorë vazhdojnë të qëndrojnë në ambiente të përkohshme, ndërsa ekipet e shpëtimit vijojnë punën për gjetjen e personave të zhdukur dhe vlerësimin e dëmeve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related