Një tjetër emër nga Shkodra po spikat në fushën e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale në Shtetet e Bashkuara. Geri Bakushi, shkodrani që ka ndërtuar karrierën akademike në SHBA, është përzgjedhur si CDS Pathbreaker Scholar 2025–2026 nga New York University (NYU).
Bursa, e ofruar nga Center for Data Science i NYU-së, u jepet studentëve me rezultate dhe potencial të veçantë në fushën e Data Science dhe kërkimit shkencor.
Rrugëtimi i Bakushit në SHBA nisi në Cleveland, Ohio, pas largimit nga Shqipëria. Ai ndoqi studimet në Cuyahoga Community College, ku performanca akademike i siguroi një vend në All-USA Academic Team, një vlerësim që përfshiu vetëm 20 studentë të përzgjedhur nga community colleges në të gjithë vendin.
Hapi i radhës ishte Cleveland State University, ku përfundoi studimet Bachelor në Computer Science me rezultate Summa Cum Laude. Gjatë viteve universitare, ai u fokusua në fusha si inteligjenca artificiale, machine learning, përpunimi i gjuhës natyrore dhe analiza e të dhënave në shkallë të gjerë.
Përveç formimit akademik, Bakushi ka krijuar edhe eksperiencë profesionale në industrinë e teknologjisë, ku ka punuar si Software Engineer në OEConnection.
Sot, ai është student i Masterit në Data Science në NYU, duke e orientuar më tej karrierën drejt kërkimit dhe zhvillimit në inteligjencën artificiale.
Nga auditorët e Shkodrës drejt një prej qendrave më të rëndësishme akademike dhe teknologjike në botë, historia e Geri Bakushit është një shembull i rrugëtimit të të rinjve shqiptarë që po arrijnë rezultate të rëndësishme në skenën ndërkombëtare të shkencës dhe teknologjisë.
Imazhi nga Tv1 Shkodër

