Gjatë punimeve të rinovimit në një objekt në Saint-Gilles-lez-Termonde, në Flandrën Lindore të Belgjikës, punëtorët kanë bërë një zbulim të pazakontë: një sasi e madhe ari e fshehur pas mureve të ndërtesës.
Zbulimi ndodhi të hënën, më 10 gusht, teksa punëtorët po punonin në bodrumin e ndërtesës dhe po vendosnin tuba. Gjatë këtyre punimeve, ata hasën një kuti të futur brenda murit. Kur arritën ta hapnin kutinë, u përballën me një pamje befasuese: brenda ndodheshin copëza ari, monedha dhe shufra të arta me numra identifikues.
Media belge HLN ka raportuar se, sipas një vlerësimi preliminar, vlera e arit të zbuluar mund të kap shifrën e rreth 9 milionë eurove.
“Gjatë punës, punëtorët po instalonin tuba. Atëherë ata bënë këtë zbulim të mahnitshëm”, tha Geert Hillaert nga CAW East Flanders, organizata e mirëqenies sociale që është pronare e ndërtesës.
Aktualisht, ndërtesa është në proces rinovimi të thelluar, duke u përshtatur për studio dhe zyre të reja.
Sapo kutia me ar u gjet, kontraktori kontaktoi fillimisht pronarin e objektit dhe më pas njoftoi policinë, duke vepruar sipas procedurave standarde për raste të tilla.
Patrick Face, shefi i policisë lokale, ka pohuar se sasia e zbuluar e arit është me të vërtetë shumë e madhe.
Autoritetet belge tani përballen me sfidën për të vërtetuar përkatësinë e thesarit dhe për të zbuluar mënyrën se si kjo pasuri arriti të fshihej në mur.
Hetimi fillestar do të synojë të zbulojë nëse ekziston ndonjë lidhje mes këtij ari dhe veprimtarive kriminale të së kaluarës. Nëse kjo mundësi përjashtohet, hapat e radhës do të jenë përpjekjet për të gjetur pronarin e ligjshëm ose trashëgimtarët e tij.
Sipas Hillaert, procesi i hetimit mund të zgjasë shumë kohë, ndoshta edhe disa vite, pasi identifikimi i origjinës dhe pronësisë së arit kërkon verifikime të shumta.
Në rast se rezulton që thesari nuk lidhet me ndonjë krim dhe pronari nuk mund të identifikohet, ngrihet pyetja se kush do të ketë të drejtën mbi arin me vlerë milionëshe.
As CAW East Flanders, si pronar i ndërtesës, dhe as kompania apo punëtorët që e zbuluan thesarit, aktualisht nuk e dinë nëse u takon ndonjë pjesë apo shpërblim për gjetjen e bërë.
Ndërkohë, autoritetet kanë transferuar thesarit në një institucion të specializuar në Bruksel, nën masa të forta sigurie, ndërsa hetimet vazhdojnë për të hedhur dritë mbi historinë dhe pronësinë e këtij ari.

