Qendra Kulturore “At Zef Pllumi” në Dedaj të Shkrelit, në Malësinë e Madhe, po përballet me një situatë të rëndë. Godina, e ndërtuar për t’u shërbyer të rinjve dhe komunitetit me aktivitete kulturore e sociale, sot paraqitet në gjendje të amortizuar.
Pamjet nga ambientet e brendshme tregojnë dëmtime të shumta dhe mungesë të dukshme mirëmbajtjeje. Hapësirat që dikur ishin menduar si një pikë takimi për të rinjtë e zonës tashmë janë lënë në degradim.
Qendra u përfundua në vitin 2013, me mbështetjen e Fondacionit Zvicerian të Ministrisë së Jashtme. Projekti u realizua nga organizata “Vis Albania”, e cila për një periudhë ka pasur në këtë godinë edhe zyrat e saj.
Pas përfundimit, objekti kaloi në administrim të ish-Komunës Shkrel dhe aktualisht është në pronësi të Bashkisë Malësi e Madhe.
Godina mori emrin e At Zef Pllumit, një prej figurave të njohura të klerit dhe letërsisë shqiptare, ndërsa synimi ishte që ajo të shndërrohej në një hapësirë aktive për kulturën, edukimin dhe jetën sociale të komunitetit.
Por më shumë se 10 vite pas përfundimit të investimit, gjendja e saj ngre pikëpyetje për mënyrën se si është administruar dhe mirëmbajtur.
Në vend që të jetë një qendër funksionale për të rinjtë e Shkrelit, objekti sot ka nevojë për ndërhyrje të rëndësishme për t’u rikthyer në funksion. Dëmtimet në ambiente dhe mungesa e kujdesit e kanë zbehur ndjeshëm qëllimin fillestar të këtij investimi.
Bëhet fjalë për një objekt të financuar edhe me mbështetje të huaj, i cili ishte krijuar për t’i dhënë komunitetit një hapësirë moderne dhe të dobishme. Sot, megjithatë, ai rrezikon të humbasë plotësisht funksionin për të cilin u ndërtua.
Mbetet për t’u parë nëse Bashkia Malësi e Madhe do të ndërmarrë një ndërhyrje për rikuperimin e godinës dhe rikthimin e saj në shërbim të komunitetit, apo qendra do të vijojë të degradojë.
Një investim i ngritur për rininë dhe kulturën, sot kërkon të paktën një tjetër investim për të mos përfunduar në harresë.
Burimi: Zani i Veriut

