Një konflikt që nisi me sende të forta në një lokal në Divjakë rrezikoi të përshkallëzohej në një vrasje, por ndërhyrja në kohë e Policisë ka parandaluar ngjarjen e rëndë.
Operacioni i koduar “Crime Prevented” u finalizua nga Komisariati i Policisë Divjakë, në bashkëpunim me strukturat e Hetimit të Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, ndërsa në pranga janë vënë gjashtë persona.
Ngjarja nisi pas një konflikti në një lokal në pronësi të 50-vjeçarit Z. K., ku shërbimet e Policisë u njoftuan për përplasjen me sende të forta. Në vendngjarje, efektivët gjetën 22-vjeçarin O. L. dhe 51-vjeçarin Sh. Xh., të cilët kishin marrë dëmtime gjatë konfliktit. Pas marrjes së ndihmës mjekësore dhe deklarimeve në Komisariat, të dy u larguan drejt banesave të tyre.
Disa orë më vonë, Policia mori informacion në rrugë operative se O. L. ishte rikthyer në lokal i armatosur me një pistoletë të pajisur me silenciator dhe, sipas dyshimeve të hetuesve, synonte të vriste Sh. Xh. Ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve të Policisë bëri të mundur parandalimin e ngjarjes.
Gjatë operacionit u arrestua O. L., 22 vjeç, i cili, sipas Policisë, ka precedent penal për prodhim dhe shitje narkotikësh në Shqipëri dhe Belgjikë. Në momentin e ndërhyrjes atij iu gjet një pistoletë me silenciator, me fishek në fole dhe gati për qitje.
Në pranga përfundoi edhe K. S., 45 vjeç, me precedent penal për prodhim dhe shitje narkotikësh në Shqipëri. Gjatë kontrollit të automjetit të tij, Policia gjeti një tjetër armë zjarri pistoletë.
S. D., 28 vjeç, u arrestua pasi, sipas hetimeve, drejtonte automjetin me të cilin O. L. ishte rikthyer në lokal disa orë pas konfliktit. Ndërkohë, 30-vjeçari S. A. akuzohet se ka tentuar të largojë armën e zjarrit nga automjeti i K. S.
Në kuadër të operacionit u arrestua edhe pronari i lokalit, Z. K., 50 vjeç, për moskallëkim krimi. Për të njëjtën vepër penale u arrestua edhe Sh. Xh., 51 vjeç, pasi gjatë hetimit rezultoi se nuk kishte treguar të vërtetën në lidhje me konfliktin.
Në cilësinë e provës materiale, Policia sekuestroi dy pistoleta, njëra prej tyre me silenciator, katër automjete dhe gjashtë aparate celulare. Armët do t’i nënshtrohen ekspertimit balistik.
Hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht rrethanat e konfliktit, për të përcaktuar përgjegjësinë e secilit prej personave të përfshirë dhe për të verifikuar aktivitetin e tyre të mundshëm kriminal.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i plotë
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Divjakë, në bashkëpunim me strukturat e Hetimit të Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, operacioni policor i koduar “Crime Prevented”.
Ndjekja në dinamikë nga shërbimet e Policisë e një konflikti, fillimisht me sende të forta, parandaloi një vrasje.
Sekuestrohen 2 armë zjarri pistoletë, njëra prej tyre me silenciator.
Vihen në pranga 6 shtetas.
Policia e Divjakës mori njoftim se, në një lokal në pronësi të shtetasit Z. K., 50 vjeç, po ndodhte një konflikt me sende të forta.
Menjëherë, shërbimet e Policisë janë afruar në vendngjarje, ku kanë konstatuar shtetasin O. L., 22 vjeç, dhe shtetasin Sh. Xh., 51 vjeç, të cilët ishin dëmtuar gjatë konfliktit me sende të forta.
Shtetasit O. L. dhe Sh. Xh., pasi kanë marrë mjekim dhe kanë përfunduar deklarimet në Komisariat, janë larguar në banesat e tyre.
Gjatë kryerjes së veprimeve për dokumentimin e plotë të konfliktit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë, Policia mori njoftim në rrugë operative se një prej autorëve, shtetasi O. L., disa orë më vonë ishte rikthyer te lokali i armatosur me një armë zjarri pistoletë me silenciator dhe dyshohet se do të vriste shtetasin Sh. Xh.
Ndërhyrja në kohë dhe me profesionalizëm e shërbimeve të Policisë parandaloi vrasjen.
Në vijim të veprimeve operacionale dhe procedurale, specialistët e Hetimit të Krimeve bënë arrestimin e shtetasve:
– O. L., 22 vjeç, me precedent penal në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve në Shqipëri dhe Belgjikë.
Këtij shtetasi iu gjet dhe sekuestrua një armë zjarri pistoletë me silenciator, me fishek në fole, gati për qitje.
– K. S., 45 vjeç, me precedent penal në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve në Shqipëri.
Këtij shtetasi, gjatë kontrollit të automjetit, shërbimet e Policisë i gjetën një armë zjarri pistoletë.
– S. D., 28 vjeç, me precedent penal në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve në Shqipëri. Ky shtetas drejtonte automjetin me të cilin shtetasi O. L. ishte rikthyer te lokali pas disa orësh.
– S. A., 30 vjeç, i cili ka tentuar të heqë armën e zjarrit nga automjeti i shtetasit K. S.
– Z. K., 50 vjeç, pronari i lokalit, i cili u arrestua për moskallëzim krimi.
– Sh. Xh., 51 vjeç, për moskallëzim krimi, pasi gjatë hetimit ka rezultuar se gjatë deklarimit nuk ka treguar të vërtetën në lidhje me konfliktin.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 armë zjarri pistoletë, njëra prej tyre me silenciator, 4 automjete dhe 6 aparate celulare.
Armët e zjarrit do t’i nënshtrohen ekspertimit përkatës.
Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të rrethanave të konfliktit, përcaktimin e përgjegjësive dhe dokumentimin e aktivitetit kriminal të personave të përfshirë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

