Velipoja ka qenë për tri ditë skena e një turneu që bashkoi futbollin e rërës me atmosferën festive të verës. Tetë skuadra morën pjesë në “Beach Soccer Velipoja 2026”, aktivitet i organizuar nga Bashkia Shkodër në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit.
Pas ndeshjeve të fazës së grupeve dhe sfidave të gjysmëfinaleve, dy ekipet që siguruan vendin në finalen e madhe ishin “Velipoja.V” dhe “KF Shkodra”.
Sfida për trofeun ishte e fortë dhe e luftuar, por skuadra vendase arriti të bëjë diferencën. “Velipoja.V” triumfoi 2-0, duke siguruar edhe titullin kampion të këtij edicioni.
Kaçubela dhe Dervishaj ishin autorët e golave që i dhanë fitoren skuadrës së Velipojës dhe i siguruan asaj kupën e turneut.
Në përfundim u zhvillua ceremonia e trofeve dhe medaljeve, ku u vlerësuan ekipet dhe sportistët më të spikatur. Çmimet u dorëzuan nga specialisti i sportit pranë Bashkisë Shkodër, Alban Neziri.
Me ndeshje, emocione dhe atmosferë festive, “Beach Soccer Velipoja 2026” e shndërroi plazhin në një arenë sportive, duke i dhënë Velipojës tri ditë të mbushura me futboll dhe spektakël.

