Një drejtues i një mjeti lundrues është gjobitur me 500 mijë lekë të rinj pasi theu kufijtë e sigurisë në zonën bregdetare të Ksamilit, duke vënë në rrezik sigurinë e pushuesve.
Shkelja u identifikua gjatë patrullimeve të zhvilluara nga Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare përgjatë bregut, të cilat kishin në qendër ruajtjen e sigurisë së vizitorëve dhe zbatimin e rregullave të lundrimit në det.
Gjatë një inspektimi në sektorin detar të Ksamilit, në zonën e njohur si “Bar Bistro”, efektivët e Policisë Kufitare vunë re një Jet Ski të futur brenda zonës së mbrojtur, pranë pushuesve.
Pas përfundimit të veprimeve administrative, mjeti lundrues u sekuestrua ndërsa drejtuesi, shtetasi me inicialet P. S., u ndëshkua me një gjobë administrative prej 500.000 lekësh të rinj.
Policia e Shtetit ka apeluar ndaj përdoruesve dhe operatorëve të mjeteve lundruese që të respektojnë rreptësisht perimetrin e sigurisë dhe rregulloren e lundrimit, me qëllim mbrojtjen e jetës së pushuesve.
Patrullimet dhe kontrollet përgjatë bregdetit do të vazhdojnë me intensitet të shtuar për të parandaluar shkeljet dhe për të siguruar rendin në zonën detare.

