Detaje të reja dalin në dritë nga sulmi me thikë në burgun e Fierit, ku mbetën të plagosur dy persona.
Sipas burimeve të besueshme, dy agresorët, Julian Zotaj dhe Aldo Gjini, fillimisht i kanë kërkuar Denis Brajoviçit të pinin një kafe së bashku.
Gjatë takimit, Zotaj ka nxjerrë një celular dhe, pasi ka kryer një telefonatë, i ka nxjerrë në telefon Brajoviçit një personazh të njohur të botës së krimit i cili është në kërkim policor. Ky i fundit, pasi e ka ofenduar, i ka bërë të ditur se dy personat që e kishin ftuar për kafe ishin miq dhe bashkëpunëtorë të tij.
Pas këtij konflikti verbal përmes telefonit, Zotaj ka nxjerrë një thikë, me të cilën ka tentuar të qëllojë Brajoviçin, por pa rezultat.
Në përleshje e sipër, ky i fundit ka arritur t’ia rrëmbejë thikën dhe të qëllojë agresorin në qafë, ndërsa vetë ka mbetur i plagosur në dorë.
Të dy personat e dëmtuar janë jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, Prokuroria e Fierit ka sekuestruar si prova materiale armën e krimit, një thikë të improvizuar, si dhe celularin e Zotajt.

