Studiuesi dhe publicisti Auron Tare ka reaguar me tone kritike ndaj mënyrës se si po trajtohet trashëgimia kulturore jomateriale në Shqipëri.
Në një status të publikuar në rrjetet sociale, Tare sjell në vëmendje një konferencë të Ministrisë së Kulturës dhe AADF-së, ku u prezantua mbështetja për përgatitjen e dosjeve për disa elementë të trashëgimisë shqiptare që synojnë njohje ndërkombëtare.
Tare kritikon atë që e konsideron si dobësim të institucioneve shqiptare të kulturës, duke ngritur pyetjen nëse shteti po humb kapacitetin për të dokumentuar dhe studiuar vetë trashëgiminë e tij.
Ai ndalet veçanërisht te transhumanca, duke theksuar se ndërsa synohet promovimi ndërkombëtar i kësaj trashëgimie, në terren barinjtë po largohen nga malet, tufat po pakësohen dhe fshatrat po boshatisen.
“Trashëgimia kulturore jomateriale nuk është një PowerPoint, as një dosje e bukur, as një logo, as një konferencë me flamuj”, shkruan Tare.
Në fund të reagimit, ai rikthen një shprehje popullore: “Dhentë e dhitë e Zeres, nami i Hasan Qeres.”
Postimi i plotë:
“Dhentë e dhitë e Zeres, nami i Hasan Qeres.”
Dikur, një bari i quajtur Zerja kishte një tufë aq të bukur, saqë kur e nxirrte çdo mëngjes nëpër pllaja, zilet e këmborët dëgjoheshin deri larg. Zerja kujdesej për bagëtinë e vet me atë përkushtimin e heshtur që kanë njerëzit që punojnë dhe nuk kanë nevojë të tregojnë se ç’bëjnë.
Aty ne fshat ishte edhe një farë Hasani i cili endej nëpër Pazar dhe mburrej me tufën e Zeres sikur të ishte e tija. Aq shumë e përmendte, aq shumë e madhëronte dhe aq shumë e shiste në Pazar, saqë prej asaj kohe mbeti edhe fjala:
“Dhentë e dhitë e Zeres, nami Hasan Qeres.”
Kjo më erdhi ndër mend sot kur pashë konferencën për shtyp të organizuar nga Ministria e Kulturës së bashku me një organizatë që quhet AADF, së cilës shteti shqiptar, me një bujari që do t’i kishte lënë pa fjalë edhe kolonialistët më të zellshëm, i ka dorëzuar administrimin e një pjese të trashëgimisë kulturore.
Një rast, me sa di unë, jo fort i zakonshëm në shtetet që kanë pak respekt për historinë e tyre.
Në fotografitë e Konferencës shfaqej një tufë zyrtarësh të majmur mirë nga karrigia dhe, në mes tyre, një zotëri amerikan nga New York-u, i cili na shpjegonte se si fondacioni i tij bamirës do të ndihmonte shtetin shqiptar në përgatitjen e dosjeve për disa tradita shqiptare që do të paraqiten për njohje ndërkombëtare.
Në listë ishin Dollia, Plisi, Festivali Folklorik i Gjirokastrës, si dhe nja dy a tre koncepte të tjera kulinarie ( byreku, turshitë e, me sa duket, edhe ndonjë gjë tjetër që nuk arrita ta kap nga fotografia e konferencës)
Për të qenë i drejtë, nuk dua të merrem gjatë me këtë mesele.
por Ajo që më shqetëson është poshtërimi i institucioneve shqiptare, të cilat duket se kanë arritur në pikën ku nuk u besohet më as të mbledhin, as të studiojnë, as të dokumentojnë trashëgiminë e tyre.
Imagjinoni pak një vend që, të paktën që nga vitet ’30, ka pasur institucione të kulturës, që më vonë krijoi Akademinë, që ka pasur institute, muze, arkiva, etnografë, folkloristë, muzikologë, antropologë dhe njerëz që kanë kaluar jetën duke studiuar pikërisht këto gjëra.
Dhe sot, në vend që Ministria e Kulturës të ringrejë këto institucione dhe t’u japë atyre njerëz, mjete dhe dinjitet, na sjell në konferencë një zotëri nga New York-u për të na shpjeguar se ç’është trashëgimia jonë jomateriale.
Çfarë ka ndodhur me shqiptarët që dinin ç’ishte një dolli, një plis, një këngë polifonike, një valle, një zakon dasme apo një mënyrë për të bërë turshi?
A kanë ikur të gjithë?
Apo i kemi zëvendësuar me konsulentë?
Dhe këtu fillon komedia.
Zoti amerikan na njofton, në anglisht, se fondacioni i tij:
“we are building on this momentum to position Albania as a global leader in intangible cultural heritage.”
Pra, në shqip “do ta vendosim Shqipërinë në pozicionin e liderit botëror të trashëgimisë kulturore jomateriale”
Kjo është një fjali aq e madhe, saqë edhe vetë Skënderbeu ( ai i Mamices sigurisht) do të kërkonte një karrige për t’u ulur.
Shqipëria, e cila mezi po arrin të mbrojë ato pak pasuri që ka regjistruar tashmë në UNESCO, do të bëhet tani lider botëror.
Ja për shembull, transhumancën.
Një pasuri e trashëgimisë jomateriale e njohur tashmë nga UNESCO, që lidhet drejtpërdrejt me mënyrën tradicionale të jetesës së barinjve dhe me lëvizjen sezonale të tufave.
Por çfarë ndodh me transhumancën në Shqipëri?
Barinjtë po braktisin malet se nuk ka me as kush kullot dhe as kush të mjele bageti. Tufat po pakësohen se nuk ka me barinje.
Fshatrat po boshatisen se nuk ka me te rinj.
E bashkë me te gjithe këta elemente po zhduket edhe vetë jeta që prodhoi atë trashëgimi që ne pastaj e fotografojmë, e paketojmë dhe e fusim në një dosje UNESCO-je.
Ministria e Kulturës nuk e di mirë çfarë të bëjë me transhumancën.
Sepse trashëgimia kulturore jomateriale nuk është një PowerPoint, as një dosje e bukur, as një logo, as një konferencë me flamuj.
Ajo është një njeri që di ta bëjë një gjë dhe ia mëson atë fëmijës së vet.
Është bariu që ngjitet në mal.
Është këmbora e deles.
Është kënga që këndohet në një dasmë.
Është gruaja që bën turshitë sipas mënyrës së nënës së saj.
Është plisi në kokë dhe dollia në sofrën e burrave.
Pra na duhet shumë një shtet që ka aq mend sa të kuptojë se këto gjëra nuk ruhen duke ua dorëzuar të tjerëve për t’i administruar.
Ato ruhen duke mbajtur gjallë njerëzit dhe komunitetet që i kanë krijuar.
Prandaj, kur pashë sot atë fotografi me zyrtarët dhe zotërinë nga New York-u i cili do beje Shqipërinë lider botëror të trashëgimisë jomateriale, m’u kujtua përsëri bariu Zerja.
Dhentë e dhitë e Zeres, nami i Hasan Qeres.

