Malësi e Madhe/ 35 vjet pa ujë, fshati Goraj Budishtë po zbrazet nga banorët

Publikuar me datë:

Në Goraj Budishtë, një fshat në Malësinë e Madhe, koha thuajse është ngrirë. Vitet e shkuara, rrugët e tij ishin plot zëra fëmijësh dhe gjallëri familjare, por sot, ato janë të zbrazëta dhe shumë shtëpi qëndrojnë të kyçura. Banorët që kanë mbetur këtu jetojnë mes kujtimeve dhe mbajnë gjallë shpresën se fshati i tyre mund të rigjejë dikur jetën që kishte.

Shumica e atyre që takohen nëpër rrugët e Goraj Budishtë janë të moshuar. Për ta, sfida kryesore mbetet mungesa e ujit të pijshëm – një problem që, sipas tyre, zgjat prej më shumë se tre dekadash. Ata rrëfejnë se shërbimet bazë mungojnë, largësia nga institucionet shëndetësore dhe papunësia kanë ndikuar në largimin masiv të banorëve.

“Ujë tash 35 vjet nuk ka një pikë ujë. Jena 80 vetë këtu është skandal. Doktori është në Shkodër… Kemi qenë 370 vetë këtu, kemi mbetur nja 100, moshë e tretë gati gjysma.”

“35 vjet demokraci, s’ka ujë me pi. Në kohën e përparme ka pasur ujë boll. Kur ka pasur mungesë, është vendosur orar.”

“34 vjet, njerëzit kanë ikë prej papunësisë, prej ujit, prej gjithçkaje. Vetëm fshati ynë s’ka ujë”, shprehen kështu të moshuarit, banorë të zonës.

Edhe për të rinjtë që kanë zgjedhur të qëndrojnë, perspektiva është e zymtë. Shumë prej tyre janë në pritje të ikjes, ndërsa ata që kthehen nga emigracioni gjatë verës vërejnë se çdo vit gjejnë gjithnjë e më pak njerëz të moshës së tyre në fshat.

“Unë jam në klasë të tetë. Duhet të ikim jashtë se s’kemi çfarë të bëjmë këtu”, tha një 13 vjeçar, banor i fshatit.

Një emigrant nga Italia tregon se”: Çdo vit duke u ulur numri i njerëzve. Të moshës time s’kam parë. Një zonë si kjo kisha ardhë me nejt për qejf”.

At Gazmend Tinaj, famullitari i Kastratit, përshkruan gjendjen aktuale: prej vitesh rreth dy të tretat e banorëve e kanë braktisur Goraj Budishtën. Mungesa e ujit dhe plakja demografike po zbehin përditë jetën e fshatit. Ai thekson se prej kohësh nuk mbahen më pagëzime apo martesë, ndërsa shumica e shtëpive janë të banuara nga të moshuar ose çifte të vetme.

“Dy të tretat e familjeve kanë ikur. Mungon ujë. Shumica e shtëpive janë vetëm burrë e grua ose një i moshuar. Ka kohë që nuk kemi pagëzime, nuk ka kurora martese. Ky është realiteti ynë”, tha At Gazmend Tinaj – Famullitar i Kastratit.

Shpopullimi ka lënë shenja të thella në Goraj Budishtë. Fshati dikur i mbushur me jetë tani është i heshtur, ku zërat e fëmijëve janë zëvendësuar nga qetësia. Pak banorë që kanë mbetur, shpresojnë se ndërhyrjet në infrastrukturë dhe përmirësimi i shërbimeve bazë do t’i japin fshatit një mundësi të re, që të mos mbetet veçse një kujtim.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related