Besëlidhja po hyn në fazën e fundit të përgatitjeve me një synim të përcaktuar qartë: rikthimin në Abissnet Superiore. Në kampin lezhjan besimi është në rritje, teksa skuadra po konsolidohet gradualisht dhe po tregon sinjale pozitive në ndeshjet e kontrollit.
Në miqësoren e fundit, Besëlidhja u përball me Vorën dhe sfida përfundoi në barazim 1-1. Lezhjanët e nisën mirë takimin, duke kaluar në avantazh gjatë pjesës së parë me Akansase. Vora reagoi pas pushimit dhe gjeti golin e barazimit me Briajan Gjylën.
Përtej rezultatit, kjo miqësore i ka shërbyer trajnerit Elvis Plori për të testuar më tej grupin dhe për të parë nivelin e skuadrës përballë një kundërshtari të Superiores.
Paraqitjet e zhvilluara gjatë kësaj periudhe kanë shtuar optimizmin te Besëlidhja, e cila po punon për të krijuar një ekip të aftë për të luftuar në nivelet e larta të kampionatit.
Plori e ka bërë të qartë se ambicia për sezonin e ri nuk është thjesht një paraqitje dinjitoze. Objektivi është rikthimi në elitën e futbollit shqiptar, me Besëlidhjen që kërkon të rikthehet aty ku historia dhe tradita e klubit e kanë vendosur ndër vite.

