Një biletë lotarie me vlerë 1 milion euro u zbulua rastësisht mes mbeturinave në Bari të Italisë, falë një ndërhyrjeje të veçantë nga punonjësit e higjienës urbane. Dokumenti me vlerë ishte hedhur pa dashje nga pronarja, e cila në fillim ishte e bindur se kishte humbur shansin për të fituar çmimin e rëndësishëm. Kompania komunale SANB bëri të ditur se bileta u rikthye “mrekullisht ende e paprekur” në kamionin e mbetjeve.
Roberto Nicola Toscano, drejtori i SANB-së, shpjegoi se ngjarja nisi të dielën, kur një grua shkoi në një dyqan afër shtëpisë për të verifikuar fitimin e mundshëm të biletës. Pajisja e kontrollit në dyqan e regjistroi biletën si të papagueshme, për shkak se dyqani i vogël nuk mund të kryente pagesën e një shume të tillë. Duke supozuar se nuk kishte fituar, pronarja e la biletën në dyqan dhe u largua. Vetëm pas një kohe të shkurtër, një i afërm i saj i bëri me dije se numrat me të cilët ajo zakonisht luante ishin përzgjedhur fitues. Gruaja, së bashku me familjen, u kthye menjëherë në dyqan, por bileta tashmë ishte hedhur në kosh dhe kamioni i ndotjes kishte dalë nga zona.
Me të kuptuar që biletës i humbi gjurma, familja e identifikoi shpejt automjetin dhe kërkoi ndihmën e punonjësve të mbetjeve për ta ndaluar, duke shpjeguar gjithë situatën. Për shkak të rrezikut të mundshëm nga grumbullimi i mbetjeve, kërkimi i biletës nuk u bë në rrugë, por në hapësirat e një kompanie të specializuar. Në mesin e shumë biletave lotarie të gjetura gjatë kontrollit që zgjati një ditë të tërë, punonjësit më në fund identifikuan biletën fituese prej 1 milion eurosh.
Drejtori i SANB-së, sapo informoi gruan për gjetjen e biletës, përjetoi nga afër emocionet e forta të saj. “Do ta kisha përqafuar, por po flisnim në telefon”, tha Toscano, duke rrëfyer momentin kur fituesja shpërtheu në lot gëzimi që nuk humbi pasurinë prej 1 milion eurosh.

