Valët e të nxehtit që kanë përfshirë vendin po ndikojnë edhe në juglindje, ku janë vënë re pasoja të dukshme sidomos tek fëmijët e vegjël. Çdo ditë, urgjenca pediatrike në spitalin rajonal të Korçës pranon dhjetëra të mitur që kërkojnë ndihmë shëndetësore për shkak të simptomave të ndryshme.
Mjeku pediatër ka shpjeguar llojet kryesore të virozave që po qarkullojnë, si dhe ka dhënë informacion mbi numrin e rasteve që trajtohen në këtë repart.
“Ka variuar nga 36-45 vizita në ditë, ku shumica janë raste me simptoma të traktit gastrointestinal. Kemi edhe simptoma të tjera, me temperaturë”, thotë për A2 CNN Robert Rado, shef i Pediatrisë, Korçë.
“Pra këto dy lloje janë aktualisht në qarkullim në zonën tonë”.
Përveç shpjegimeve mbi situatën, mjeku jep edhe disa këshilla për prindërit, si për menaxhimin e temperaturave të larta ashtu edhe për rastet kur shfaqen shenja të sëmundjes. “E para është që t’i kenë nën kontroll fëmijët, të mos i lejojnë të dalin në pikun e vapës, sepse temperaturat kanë qenë shumë të larta. Të pinë lëngjesh, të lajnë duart dhe të lajnë perimet e frutat para se të konsumohen”, tregon ai.
Ndërkohë, në repartin e Pediatrisë në Spitalin Rajonal të Korçës, aktualisht janë të shtruar 11 fëmijë.

