Kina ka mohuar njoftimet e publikuara nga Reuters që pretendojnë se Pekini planifikon të furnizojë Iranin me 300 deri në 400 raketa mbrojtëse ajrore të lëvizshme, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve. Sipas Reuters, vlera e këtij armatimi llogaritet të jetë mes 60 dhe 70 milionë dollarë.
“Raportet janë të rreme dhe krejtësisht të pabazuara. Roli i Kinës ka qenë gjithmonë të promovojë paqen dhe t’i japë fund konfliktit”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Mao Ning.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të mërkurën se do të ndjente zhgënjim të madh ndaj Presidentit të Kinës, Xi Jinping, nëse ai do të ndihmonte Iranin me furnizime ushtarake.
Sipas inteligjencës amerikane, Kina po shqyrton mundësinë t’i dorëzojë Iranit sisteme të reja mbrojtjeje ajrore, në një periudhë kur Teherani kërkon të zëvendësojë disa sisteme të armatimit duke u mbështetur te partnerët kryesorë ndërkombëtarë.

