Ministri i Jashtëm serb, Marko Djuriç, njoftoi të mërkurën se Serbia dhe Shqipëria arritën një marrëveshje në parim për hapjen e zyrave konsullore në Shkodër dhe Bujanoc.
Mbi lajmin ka reaguar ish- ministri Ditmir Bushati, i cili në një postim në rrjetet sociale shkruan se një vendim i tillë është i gabuar në planin strategjik, ndërsa ka shtuar se pesha e pakicës serbe në zonë është shumë e paktë.
“Uroj që lajmi i dhënë nga ministri i jashtëm serb dhe ujdia e pretenduar me homologun shqiptar për hapjen e Konsullatës së Serbisë në Shkodër të mos jetë e vërtetë.
Në planin strategjik do të ishte e gabuar. Një konsullatë e Serbisë në Shkodër nuk reflekton realitetin historik, peshën e pakicës serbe në zonë, dhe vendos padrejtësisht shenja barazimi me shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës.
Po aq e gabuar do të ishte edhe në planin taktik, teksa gjuha e zyrtarëve të lartë të Serbisë është në kulmin e ekstremitetit në raport me spastrimin etnik në Kosovë. Dhe një karshillëk ndaj Malit të Zi, kur dihet se Serbia nuk ka hequr dorë nga praktikat asimiluese ndaj pakicës malazeze që jeton në Shqipëri”, shkruan ai.

