Një agjenci e Bashkimit Europian ka ngritur alarmin për rrezikun e lartë të zjarreve pyjore këtë vit, duke theksuar se Europa mund të përballet me një nga sezonet më të rënda të historisë, veçanërisht me afrimin e fillimit të gushtit kur pritet një rritje e ndjeshme e këtij rreziku.
Paralajmërimi vjen ndërkohë që vatra të shumta zjarri janë përhapur në disa shtete europiane, ku vdekja e dy zjarrfikësve në zonën e Rethymnos në Greqi ka tërhequr vëmendjen e opinionit ndërkombëtar.
Sipas agjencisë, nëse situata me zjarret aktuale në Portugali dhe Spanjë nuk vihet nën kontroll, fillimi i muajit gusht mund të sjellë një përshkallëzim të rëndë të krizës në të gjithë kontinentin.
Zoubert deklaroi se viti 2026 mund të rezultojë si sezoni më i rëndë i zjarreve pyjore në historinë europiane, duke kapërcyer edhe rekordin e vendosur vitin e kaluar. Sipas saj, reshjet e shumta të dimrit dhe pranverës kanë nxitur rritjen e dendësisë së bimësisë, e cila më pas është tharë nga temperaturat e larta të verës, duke formuar kështu sasi të mëdha materiali të gatshëm për t’u djegur.
Ndërkohë, në jugperëndim të Turqisë, një zjarr i madh pranë një destinacioni turistik ka detyruar autoritetet të mbyllin përkohësisht aksin rrugor që lidh Fethiyen me Antalian.
Zjarri, i cili filloi në një zonë rurale të provincës Mugla, u përhap me shpejtësi në zonën pyjore përreth, duke kërcënuar edhe zona të tjera aty pranë.
Aktualisht, raportohet për vatra zjarri në disa vende europiane si Italia, Portugalia, Franca dhe Spanja, me situatën më të rënduar që vazhdon të vërehet në Francë dhe Spanjë.

