Aventura me automjetin ushtarak përfundon keq, arrestohen dy ushtarë britanikë

Publikuar me datë:

Një ngjarje e pazakontë u shënua në orët e para të së premtes në një kamp të ushtrisë britanike në Wiltshire, ku dy ushtarë u ndaluan pasi janë të dyshuar për vjedhjen e një transportuesi të blinduar personeli dhe dëmtimin e disa automjeteve të parkuara.

Raportimet e mediave britanike bëjnë të ditur se ushtarët morën në mënyrë të paautorizuar një automjet të blinduar Bulldog, që peshon rreth 15 tonë, dhe e drejtuan atë në një rrugë të ngushtë brenda kampit, ku u përplasën me një furgon dhe një SUV.

Video të shpërndara në rrjetet sociale shfaqin automjetin ushtarak teksa lëviz në kamp, ndërkohë që drejtuesi duket se e kishte të vështirë të ruante kontrollin mbi të.

Sipas të dhënave, para ngjarjes, dy ushtarët kishin konsumuar alkool jashtë territorit të kampit dhe, pasi u rikthyen në Kampin Tidworth, morën nën kontroll automjetin e blinduar.

Bulldog-u, që arrin deri në 51 km/orë, shërben për transport të personelit në zona lufte dhe ka kapacitetin të mbajë deri në 10 ushtarë.

Përplasjet sollën dëme të mëdha materiale, përfshirë edhe shkatërrimin e një automjeti elektrik me vlerë rreth 30 mijë paund. Megjithatë, nuk ka të raportuar të lënduar nga incidenti. Mjeti i blinduar u gjet më vonë i parkuar në mënyrë të rregullt brenda kampit dhe pa dëmtime të dukshme.

Ushtari që dyshohet se ka qenë shoferi i transportuesit u kap nga Policia Ushtarake Mbretërore në dhomën e tij pasi dolën në pah dëmet e shkaktuara, ndërsa u ndalua edhe një ushtar i dytë, i dyshuar si i përfshirë në ngjarje.

Një përfaqësues i ushtrisë britanike deklaroi:

“Ne presim që stafi ynë të respektojë standardet më të larta të sjelljes. Dy ushtarë janë arrestuar nga Policia Ushtarake Mbretërore pas një incidenti në Perham Down mëngjesin e 24 korrikut. Nuk do të bëjmë komente të mëtejshme ndërsa hetimi vijon.”

Transportuesi i blinduar Bulldog është ndërtuar për të mbrojtur trupat nga armët e vogla dhe nga fragmentet e artilerisë, por mund të shërbejë gjithashtu si ambulancë fushore, qendër komande lëvizëse apo edhe mjet për operacione shpëtimi.

Ngjarja u regjistrua në Kampin Tidworth, një nga bazat më kyçe të ushtrisë britanike, ku operojnë disa njësi të ndryshme ushtarake. Kjo nuk është hera e parë që ushtarët e kësaj baze përballen me probleme ligjore; në vitin 2024, një ushtar u shpall fajtor për drejtim të automjetit nën efektin e alkoolit, pasi goditi një shtyllë telefoni ndërkohë që ishte i veshur me kostumin e Batman-it.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related

Greqi/ Arrestohet 32-vjeçari shqiptar, akuzohet për tentativë vrasjeje

Një 32-vjeçar shqiptar është vënë në pranga nga policia...

Aksident në Fushë-Krujë, një i vdekur dhe një i plagosur

Një aksident fatal është shënuar në një rrugë rurale...

Baze: Agroni të shpjegojë pse ia futi vrapit!

Nga Mero BazeTë gjitha arsyetimet e Agron Shehajt për...