Gjatë aksionit të koduar “Final O’clock”, të zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Lezhë, është ndaluar 39-vjeçari Arbër Margjeka, banor në Lezhë.
Kontrolli policor në ambientet e argjendarisë zbuloi dhe çoi në sekuestrimin e 133 orëve dore të markave të njohura luksoze. Policia dyshon se këto mallra janë futur kontrabandë në Shqipëri dhe mund të lidhen me vjedhje të kryera jashtë vendit.
Po ashtu, u sekuestruan rreth 3.3 kilogramë bizhuteri prej floriri që nuk ishin të shoqëruara me dokumentacionin përkatës të blerjes, si dhe 270 500 lekë dhe 2 700 euro në para të gatshme, të cilat sipas policisë dyshohen të jenë përfituar nga ky aktivitet.
Autoritetet vlerësojnë se gjithsej, pasuria e bllokuar kap shumën e rreth 300 mijë eurove.
Policia vazhdon hetimet për të zbardhur të plotë veprimtarinë e dyshuar kriminale dhe për të identifikuar persona të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë rast.
Çështja i është referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, ku priten hapat e radhës proceduriale.

