Këngëtari Labinot Tahiri ka njoftuar se do të mbështesë financiarisht Roelin, djalin e artistit të ndjerë Shpat Kasapi. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai bëri të ditur se, duke nisur nga ky sezon, do të dhurojë 150 euro nga çdo mbrëmje muzikore dhe dasmë ku do të performojë, për aq kohë sa do të vazhdojë aktivitetin e tij artistik.
Tahiri u shpreh se Shpat Kasapin e ka pasur mik dhe koleg, ndërsa zbuloi se edhe më herët e kishte ndihmuar familjen në mënyrë private. Ai theksoi se fondet do t’i dërgohen nënës së Roelit, e cila kujdeset për të, duke premtuar se familja nuk do të mbetet e vetme.
Në të njëjtin mesazh, Labi u bëri thirrje edhe artistëve të tjerë që ta mbështesin familjen e Shpat Kasapit jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra konkrete, në nderim të kujtimit të këngëtarit të ndjerë.

