Një 19-vjeçar shqiptar ka rënë në prangat e policisë italiane në Savona, pas një operacioni antidrogë që çoi në zbulimin e mbi 3 kilogramëve lëndë narkotike dhe një shume parash të dyshuara si të përfituara nga aktiviteti kriminal.
Sipas autoriteteve italiane, hetimet kishin nisur në kuadër të goditjes së trafikut të drogës mes të rinjve. I riu ishte vënë nën vëzhgim, pasi bënte një mënyrë jetese që nuk përputhej me të ardhurat e deklaruara dhe rezultonte me precedentë penalë.
19-vjeçari u ndal pranë një qendre tregtare në Savona. Fillimisht ai deklaroi se përdorte vetëm banesën e familjes, por hetuesit kishin dokumentuar lëvizjet e tij edhe në një adresë tjetër, çka çoi në kontrollin e një apartamenti të dytë.
Gjatë kontrollit, të kryer me ndihmën e qenit antidrogë Rey, policia sekuestroi 1.03 kilogramë hashash, 2.145 kilogramë marijuanë dhe rreth 280 gramë kokainë. Sipas autoriteteve, vlera e drogës në tregun me pakicë llogaritet mbi 50 mijë euro.
Lënda narkotike ishte fshehur në ambiente të ndryshme të banesës, përfshirë magazinën dhe kuzhinën, brenda enëve të ushqimit, dollapëve dhe frigoriferit.

