Mbi 800 vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në Kanada, duke shkaktuar një përkeqësim të ndjeshëm të cilësisë së ajrit edhe në disa shtete të SHBA-ve, ku autoritetet kanë lëshuar paralajmërime për rrezikun nga tymi.
Sipas të dhënave zyrtare, në Kanada janë aktualisht 857 zjarre aktive, ndërsa shumica e tyre janë jashtë kontrollit. Vetëm gjatë së enjtes janë regjistruar 23 vatra të reja zjarri.
Tymi i shkaktuar nga zjarret masive në provincën e Ontarios ka përfshirë zona të gjera në veri të SHBA-së, duke ndikuar veçanërisht në shtetet e Miçiganit dhe Minesotës. Autoritetet amerikane kanë klasifikuar cilësinë e ajrit në disa zona si “të rrezikshme” dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin qëndrimin në ambiente të jashtme.
Alarmet për ndotjen e ajrit janë shtrirë në rajonin e Liqeneve të Mëdha, në pjesën qendrore të SHBA-së dhe deri në verilindje të vendit. Në disa zona të New York-ut, niveli i ndotjes është vlerësuar si “shumë i pashëndetshëm”, ndërsa në zonën metropolitane të qytetit të Nju Jorkut ajri është klasifikuar si “i pashëndetshëm”.
Për shkak të situatës, qyteti i Nju Jorkut ka zgjatur masat emergjente për temperaturat e larta dhe ka aktivizuar protokollet për cilësinë e ajrit, duke vënë në dispozicion qindra qendra freskimi dhe maska mbrojtëse për banorët.
Meteorologët paralajmërojnë se erërat nga veriperëndimi do të vazhdojnë të transportojnë tymin drejt veriut të SHBA-së gjatë ditëve në vijim, duke ngritur shqetësime edhe për zonën e New Jersey, ku të dielën pritet të zhvillohet finalja e Kupës së Botës.
Ndërkohë, zjarret në Ontarion verior kanë detyruar qindra banorë të komuniteteve autoktone të largohen nga shtëpitë e tyre. Flakët kanë shkaktuar dëme të mëdha në banesa dhe ndërtesa, ndërsa disa familje janë evakuuar me varka nga zonat e izoluara.
Një video e publikuar së fundmi tregoi një tren mallrash të rrethuar nga flakët në Ontario, ku punonjësit kërkuan ndihmë emergjente. Kompania Canadian National Rail njoftoi se të gjithë punonjësit u shpëtuan dhe se operacionet hekurudhore në zonë janë pezulluar përkohësisht.
Ndërkohë, në SHBA janë shtuar thirrjet ndaj Kanadasë për një menaxhim më të mirë të situatës. Ligjvënës republikanë nga Miçigani i kanë kërkuar kryeministrit kanadez Mark Carney masa më të forta për kontrollin e zjarreve, ndërsa autoritetet e të dy vendeve kanë theksuar nevojën për bashkëpunim në përballimin e krizës.

