Një aksident i rëndë është regjistruar në aksin rrugor Tepelenë-Memaliaj, në vendin e quajtur “Rune”, ku dy automjete janë përplasur fuqishëm me njëra-tjetrën.
Si pasojë e përplasjes, kanë mbetur të plagosur dy drejtuesit e mjeteve dhe dy pasagjerë që ndodheshin në automjete. Fatmirësisht, sipas informacioneve paraprake, të katër të dëmtuarit ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Goditja ka qenë e fortë, duke shkaktuar dëmtime të mëdha në të dy automjetet. Në vendngjarje kanë mbërritur efektivët e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.
Nga hetimet paraprake dyshohet se përplasja mund të ketë ardhur si pasojë e shpejtësisë së lartë me të cilën po lëviznin automjetet, ndërsa vijojnë verifikimet për të përcaktuar rrethanat e sakta të ngjarjes.

