Një sulm i ri raketor amerikan është raportuar në jug të Iranit, pranë qytetit strategjik portual Bandar Abbas, sipas agjencisë iraniane të lajmeve Fars.
Raportimet paraprake bëjnë me dije se raketat kanë goditur zona pranë këtij qyteti, i cili konsiderohet një nga qendrat më të rëndësishme tregtare dhe detare të Iranit, për shkak të pozicionit të tij në Ngushticën e Hormuzit.
Deri në këto momente nuk ka të dhëna zyrtare për numrin e viktimave apo përmasat e dëmeve të shkaktuara nga sulmi.
Më herët, mediat iraniane raportuan edhe për një tjetër goditje pranë ishullit Qeshm, në Gjirin Persik. Sipas agjencisë së lajmeve Mehr, një raketë amerikane ka goditur një zonë pranë ishullit më të madh të Iranit në këtë rajon.
Sulmet e raportuara vijnë në një periudhë tensionesh të larta mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, ndërsa situata në rajon vijon të mbetet e përshkallëzuar.

