Sonte, të mërkurën, do të përcaktohet emri i finalistit të dytë të Kupës së Botës 2026, në përballjen mes Anglisë dhe Argjentinës.
Të dyja përfaqësueset kanë shfaqur nivel të lartë gjatë këtij turneu dhe synimi i tyre i vetëm mbetet pjesëmarrja në Botëror.
Sa i përket Anglisë, skuadra vazhdon të ketë pak alternativa të natyrshme në pozicionin e mbrojtësit të djathtë. Jarell Quansah është i pezulluar, ndërsa Reece James nuk pritet të aktivizohet nga fillimi, për shkak të problemeve të tij të mëparshme me lëndimet.
Djed Spence mund të rikthehet në 11-shen bazë, por nuk përjashtohet mundësia që Ezri Konsa të mbetet në këtë pozicion. Në qendër të mbrojtjes, John Stones pritet të luajë përkrah Marc Guehit.
Jordan Henderson nuk do të jetë i disponueshëm, pasi ka kryer ndërhyrje kirurgjikale në kyçin e dorës pas dëmtimit të pësuar në Mexico City.
Declan Rice nuk ishte në formën e tij optimale fizike kundër Norvegjisë, për shkak të një sëmundjeje. Megjithatë, Thomas Tuchel shpreson që mesfushori i Arsenalit të jetë gati për të nisur sfidën së bashku me Elliot Anderson.
Nga ana tjetër, Argjentina pritet të ruajë të njëjtin rreshtim me të cilin triumfoi ndaj Zvicrës pas kohës shtesë. Lionel Scaloni nuk mendohet të ndërmarrë ndryshime të rëndësishme në formacion.
Lionel Messi pritet të jetë titullar në sulm, ndërsa tekniku argjentinas duhet të vendosë nëse pranë tij do të luajë Julian Alvarez apo Lautaro Martinez.
Në repartin e mesfushës, Leandro Paredes mund ta mbajë vendin në formacion për t’i ofruar ekipit më shumë stabilitet në mbrojtje. Kjo edhe pse Thiago Almada dha një ndikim pozitiv pasi hyri nga stoli në ndeshjen e fundit.
Formacionet e mundshme:
Angli: Pickford; O’Reilly, Guehi, Konsa, Spence; Anderson, Rice; Gordon, Bellingham, Saka; Kane
Argjentinë: Martinez; Molina, Romero, Martinez, Tagliafico; Allister, Paredes, Fernandez, Gonzalez; Alvarez, Messi

