Rama paralajmëron kufizime për rrjetet sociale për të miturit: Po diskutojmë nëse mosha minimale do të jetë 16 apo 18 vjeç

Publikuar me datë:

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se qeveria po analizon mundësinë për të kufizuar përdorimin e rrjeteve sociale nga të miturit, duke vlerësuar nëse mosha minimale duhet të përcaktohet në 16 apo 18 vjeç që ata të mos kenë më llogari personale në këto platforma.

Sipas Ramës, për këtë nismë do të zhvillohet një proces konsultimi të gjerë me mësues, prindër dhe të gjitha institucionet arsimore, në të njëjtën mënyrë siç u veprua kur u ndërmorën masa për kufizimin e TikTok-ut.

Gjatë një takimi të Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, Rama bëri të ditur edhe se, duke filluar nga viti i ardhshëm, orari i qëndrimit të fëmijëve në shkolla do të zgjatet deri në orën 17:00.

“Po shqyrtojmë edhe se si duhet të kufizohet aksesi në rrjetet sociale i të miturve dhe deri në cilin kufi moshe, 16 apo 18 vjeç, që të mos kenë më asnjë mundësi të kenë rrjete sociale individuale. Do të fillojmë konsultimin, siç bëmë në rastin kur kufizuam TikTok-un. Do të diskutojmë me mësuesit, prindërit dhe të gjitha shkollat për kufizimin e rrjeteve sociale për të miturit”, deklaroi Rama.

Duke iu referuar ngjarjeve të fundit, kryeministri u shpreh se Këshilli ka rëndësi të veçantë si një forum ku mund të ndërthuren mendime dhe eksperienca të ndryshme, me synimin për të ndërtuar një qasje të përbashkët.

Sipas tij, vendi është përballur me një situatë shqetësuese ku dhuna është minimizuar, justifikuar apo madje edhe vlerësuar. Rama vlerësoi se krahas dhunës, është përhapur keqinformimi dhe deformimi i edukimit, duke e ekspozuar Policinë e Shtetit ndaj paragjykimeve, ndërsa individët që kanë ushtruar dhunë në institucione dhe shkolla, sipas kryeministrit, janë trajtuar si qytetarë të veçantë dhe kanë gëzuar mbrojtje nga mediat.

Ai paralajmëroi se nëse shoqëria kufizohet te evidentimi dhe kritika e fenomeneve të tilla, dhuna mund të marrë forma të reja, duke u shënjestruar kundër mësuesve, drejtuesve të shkollave, stafit akademik, universiteteve apo kujtdo që shihet si pengesë për të drejtat individuale.

Një shqetësim tjetër që ngriti Rama kishte të bënte me pjesëmarrjen e një numri të madh të miturish në protesta. Ai tha se fëmijët që përfshihen në këto veprimtari nuk duhen parë si fajtorë, por si individë që kanë nevojë për mbështetje. Sipas tij, është e rëndësishme të identifikohen dhe të zhduken burimet që nxisin apo frymëzojnë dhunën tek të miturit.

Kryeministri foli edhe për domosdoshmërinë e forcimit të mbështetjes për familjet, duke përmendur subvencionimin e sigurimeve shëndetësore për nënat papunë që rrisin vetëm fëmijët, kthimin e bonusit të bebes në një formë ndihme të rregullt mujore për fëmijët, si dhe rritjen e mbështetjes për studentët e familjeve në nevojë me më shumë se dyfishin e mëparshëm.

Rama theksoi se këto politika nuk mjaftojnë dhe se situata aktuale kërkon një qasje të re, veçanërisht ndaj çdo nisme që favorizon bashkëjetesën dhe socializimin fizik të njerëzve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related