Vllaznia ka zyrtarizuar afrimin e radhës në merkato, duke siguruar shërbimet e sulmuesit venezuelian Daniel Perez.
Futbollisti 24-vjeçar ka firmosur një kontratë dyvjeçare me kuqeblutë dhe do të jetë pjesë e ekipit shkodran për dy sezonet e ardhshme.
Perez mbërrin në Shkodër pas një eksperience në futbollin europian, ku ka veshur fanellat e skuadrave belge Club Brugge, Oostende dhe Lokeren, si dhe të ekipit qipriot Nea Salamis. Në karrierën e tij, ai ka qenë gjithashtu pjesë e kombëtareve të moshave të Venezuelës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Vllaznia i ka uruar mirëseardhjen sulmuesit të ri, duke shprehur pritshmëri të mëdha për kontributin e tij në repartin ofensiv.
“Mirë se vjen në Shkodër, Daniel! Tash… fol me gola!”, ishte mesazhi i klubit kuqeblu për afrimin më të ri.

