Ndërsa qeveria Rama ka vendosur të shpenzojë më shumë se 4 milionë euro nga taksat e shqiptarëve për koncertin e Kanye West, kryeqyteti do të përballet gjithashtu me një bllokim në qarkullim që do të shkaktojë paralizimin e Tiranës dhe më gjerë.
Me rastin e koncertit të planifikuar të Kanye West në datën 11.07.2026 në Kashar, Drejtoria Vendore e Policisë së Tiranës informon qytetarët për kufizimet që do të ketë në qarkullim.
– Nga ora 07:00 deri në 24:00, do të ndalohet qarkullimi në aksin dytësor të autostradës “Durrës–Tiranë”, në segmentin nga “Eiffeli” deri te “Casa Italia”. Ky segment do të jetë i hapur vetëm për automjetet që dalin;
– Nga ora 07:00 deri në 24:00, do të bllokohet korsia e daljes nga autostrada “Durrës–Tiranë” në rrethrrotullimin e “Casa Italia-s”;
– Nga ora 12:00 deri në 24:00, do të ndalohet qarkullimi në segmentin “Casa Italia” – rruga “Pavarësia” – rruga “Sokrat Miho”;
– Nga ora 12:00 deri në 24:00, do të ndalohet gjithashtu qarkullimi në segmentin “Rruga “Sokrat Miho” – rruga “Kasem Shima” – rruga “7 Nëntori”, i cili do të lejojë vetëm daljet.
Po ashtu, nga ura e Institutit deri tek “Casa Italia” mund të ndodhin bllokime të pjesshme të qarkullimit, në varësi të numrit të pjesëmarrësve, për të menaxhuar trafikun dhe për të garantuar zhvillimin e qetë të aktivitetit.
Gjatë këtyre orareve, hyrja në zonat e kufizuara do të lejohet vetëm për automjetet e Emergjencës dhe ato të Policisë së Shtetit.

