Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, ka njoftuar se duke nisur nga sot, Policia Bashkiake do të funksionojë 24 orë në ditë, duke shtuar edhe turnin e tretë të shërbimit.
Sipas Becit, ky organizim synon të rrisë praninë e efektivëve në terren, të forcojë sigurinë dhe të garantojë një shërbim të pandërprerë për qytetarët dhe vizitorët, veçanërisht gjatë sezonit turistik.
Ai thekson se Shkodra po pret çdo ditë mijëra vizitorë nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të botës, ndaj ofrimi i shërbimeve cilësore dhe garantimi i rendit e sigurisë në çdo orë të ditës dhe natës mbetet një prioritet i bashkisë.
Gjithashtu, Beci bën të ditur se Salla Operative e Policisë Bashkiake do të jetë në dispozicion 24 orë në numrin 069 606 0992, ku qytetarët mund të raportojnë problematika ose të kërkojnë asistencë.

