Një lajm i rëndë ka tronditur sportin shkodran dhe atletikën shqiptare. Është ndarë nga jeta në moshën 16-vjeçare Dardan Baraku, kampion i Shqipërisë në atletikë, pas një sëmundjeje të rëndë.
Sipas të afërmve, gjatë dy javëve të fundit ai kishte shfaqur probleme shëndetësore. Pavarësisht përkujdesjes dhe përpjekjeve maksimale, i riu nuk arriti ta fitonte betejën me sëmundjen.
Humbja e tij është një goditje e rëndë jo vetëm për familjen Baraku, por edhe për komunitetin e atletikës shqiptare, ku Dardani konsiderohej një talent me të ardhme premtuese.
Lajmin e dhimbshëm e ka bërë të ditur Shoqata e Atletikës Vllaznia përmes një reagimi në rrjetet sociale:
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta, pas një sëmundjeje të rëndë, të atletit tonë të ri Dardan Baraku, kampion i Shqipërisë në garën e 100 metrave për grupmoshën U16.
Dardani ishte një djalë i talentuar, i përkushtuar dhe shembull i pasionit për atletikën. Me punën, disiplinën dhe rezultatet e tij, ai i solli krenari Shoqatës së Atletikës Vllaznia dhe sportit shkodran, duke lënë gjurmë në zemrat e trajnerëve, bashkëmoshatarëve dhe të gjithë atyre që e njohën.
Humbja e tij është një dhimbje e madhe për familjen, miqtë, komunitetin sportiv dhe për të gjithë ne që patëm fatin ta shihnim të rritej si sportist dhe si njeri.
Në këto momente të vështira, Shoqata e Atletikës Vllaznia i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Baraku, të afërmve dhe miqve të Dardanit, duke ndarë me ta këtë dhimbje të madhe.
Kujtimi i Dardan Barakut do të mbetet gjithmonë i gjallë mes nesh. U prehtë në paqe!”

