Një 34-vjeçar është vënë në pranga pasi u kap në flagrancë ndërsa tentonte të trafikonte 46 kg kanabis të fshehura në një valixhe nga Kanadaja drejt Shqipërisë.
Policia ka proceduar penalisht edhe dy shtetas të tjerë, ndërsa ka sekuestruar 89 paketime me lëndë narkotike cannabis sativa, me peshë totale rreth 46 kg, me vlerë tregu rreth 250 000 euro.
“Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve të shpejta operacionale, të kryera mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Rinas dhe Autoritetet Doganore, finalizuan operacionin policor të koduar “Suitcases”, duke goditur një rast të trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike nga Kanadaja drejt Shqipërisë.
Gjatë operacionit u konstatuan dy valixhe, brenda të cilave ndodheshin 89 paketime të mbyllura me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa, në formën e xhelatinës, me peshë totale rreth 46 kilogramë, me vlerë tregu rreth 250 000 euro.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë K. Gj., 34 vjeç, si dhe u proceduan penalisht në gjendje të lirë A. Gj., 31 vjeçe, dhe L. Sh., 40 vjeçe.
Vijojnë hetimet, me përdorimin e metodave speciale të hetimit, për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.”- njofton policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

