Informacione të reja janë zbuluar rreth arrestimit të Granit Pepnikajt që ndodhi gjatë mesditës së kësaj të premteje në Dhërmi.
Sipas të dhënave, Pepnikaj, i njohur si “koka” e një rrjeti call centerash në Tiranë, akuzohet për angazhim në një skemë të gjerë mashtrimi kompjuterik dhe pastrimi parash.
Ai u identifikua dhe u arrestua në kompleksin “Olea Residence” në Dhërmi. Gjatë operacionit, policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pistoletë, si dhe një sasi të dyshuar të lëndës narkotike cannabis sativa.
Përveç Pepnikajt, autoritetet e rendit kanë arrestuar dhe bashkëpunëtorin e tij, 31-vjeçarin Xh. H.
“Mesditën e sotme, në zonën e Drimadhës, u kapën shtetasit G. P., 29 vjeç, dhe Xh. H., 31 vjeç, të shpallur në kërkim.
Shtetasi G. P., 29 vjeç, ishte në kërkim pasi, me vendim të datës 30.04.2026, Gjykata e Tiranës i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, si i dyshuar për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”.
Xh. H., 31 vjeç, po ashtu ishte në kërkim, pasi Gjykata e Tiranës i kishte vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” me vendim të datës 13.04.2026, për të njëjtën veprimtari të paligjshme.
Gjatë kontrollit të zhvilluar në vilën ku ata qëndronin, shërbimet e Policisë hasën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë dhe një sasi lënde narkotike, e dyshuar cannabis sativa.
Përveç kësaj, në momentin e arrestimit, në flagrancë është kapur dhe arrestuar, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, shtetasi R. R., 28 vjeç, banues në Tiranë,- sipas njoftimit të Policisë.
Materialet procedurale janë dërguar në Prokurori për veprime të mëtejshme.

