Lulzim Tanushi, avokati që përfaqëson katër individë të ndaluar pas protestës së zhvilluar mbrëmë para Kuvendit, e ka cilësuar këtë situatë si një “proces politik”, duke pretenduar se klientët e tij nuk kanë kryer ndonjë vepër penale.
Ai sqaroi se katër të arrestuarit, të cilët ndodhen në Komisariatin nr. 4, akuzohen për prishje të qetësisë publike dhe shkatërrim të pronës. Megjithatë, sipas tij, ata ishin në një lokal në momentin e incidentit.
“Ky është një proces politik. Të katër personat nuk kanë kryer asnjë vepër penale. Akuzohen për prishje të qetësisë publike dhe shkatërrim të pronës, kur në fakt ishin në kafe dhe janë marrë që aty,” u shpreh avokati.
Tanushi e përshkroi ngjarjen duke theksuar se ajo nisi kur grupi i të rinjve e panë ministrin Ulsi Manja, i cili, sipas deklaratave të tij, i kishte ofenduar dhe provokuar verbalish. Në atë moment, ata reaguan duke hedhur vezë në drejtim të tij.
Për më tepër, avokati pretendoi se gjatë incidentit, truproja e ministrit ushtroi dhunë ndaj Gent Prognit.
“Ka pamje ku një bodyguard godet Gent Prognin. Ata ishin në kafe, panë Ulsi Manjën, i cili lëvizi më tutje dhe i ofendoi. Këta ndiheshin të provokuar dhe reaguan duke hedhur vezë. Gjuha që iu përdor ishte jashtëzakonisht e rëndë. Bodyguardi i Manjës iu drejtua Gentit dhe e goditi disa herë,” tha Tanushi.
Sipas avokatit, dhuna vazhdoi edhe pas ndihmës së policisë ndaj Prognit.
“Ai uli duart me idenë se do ta arrestonin, por u godit. Kur ishte i prangosur, një punonjës policie e goditi nga mbrapa me shkelma. Për këtë do të bëjmë një kallëzim në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, për të identifikuar efektivin që ka shkelur ligjin,” njoftoi Tanushi.

