Katër oficerë policie janë ndaluar në flagrancë nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) në Drejtorinë Rajonale Shkodër-Lezhë, nën akuzën për “Shpërdorim detyre”.
Sipas informacionit të AMP-së, hetimet filluan kur u konstatuan shkelje nga ana e shtetasit Hasan Ferracaku, i cili kishte marrë masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, por nuk ndodhej në vendbanimin e tij, ku ishte i detyruar të qëndronte nën mbikëqyrje.
Pasi përfunduan veprimet hetimore, u arrestuan: Inspektori Dorjan Hasandoçaj, Inspektori Gentian Xhanari, Inspektori Dioniz Hotaj, dhe Punonjësi Ridvan Zefi,
të gjithë anëtarë të Trupës Operacionale të Njësisë së Sigurisë Kombëtare në Shkodër.
Po ashtu, ndaj Hasan Ferracakut ka dyshime për “Largimin e të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, pasi dyshohet se ka shkelur kushtet e vendosura nga gjykata për masën e sigurisë.
Hasan Ferracaku ishte nën masën e “Arrest në shtëpi” si një nga të dyshuarit për veprën penale të vrasjes me dashje, e cila ndodhi në Velipojë pesë vjet më parë.
Ngjarja tragjike fatkeqësisht rezultoi me katër viktima: vëllai i tij Kujtim Ferracaku (59 vjeç), dy vëllezërit Edmond Gocaj (38 vjeç) dhe Xhovan Gocaj (25 vjeç), si dhe kamarieri Myzerim Zeneli (20 vjeç). Ndërkohë, Hasan Ferracaku dhe nipi i tij 17-vjeçar mbetën të plagosur.
Materialet hetimore janë dërguar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Shkodër për veprime të mëtejshme.

