Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar një efektiv të Gardës, nën akuzën e dhunës në familje.
Mësohet se denoncimi ndaj H.S., është bërë nga bashkëshortja e tij e cila e akuzon për ushtrimin e dhunës fizike dhe psikologjike, si edhe kanosje të përsëritura.
“Drejtoria Rajonale Tiranë, ka arrestuar në flagrancë punonjësin e Gardës së Republikës, shtetasin me inicialet H. S, i dyshuar për veprën penale “dhuna në familje”, parashikuar nga neni 130/a i Kodit Penal. Hetimet nisën pas kallëzimit të bashkëshortes së tij, e cila denoncoi ushtrimin e dhunës fizike dhe psikologjike, si edhe kanosje të përsëritura”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Në vijim të veprimeve procedurale u krye edhe kontrolli i banesës së gardistit, ku u sekuestruan tre telefona celularë me interes për hetimin.
“Pas administrimit të provave dhe në bashkëpunim me Prokurorinë, AMP bëri arrestimin në flagrancë të punonjësit të Gardës së Republikës, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë”, thanë burime zyrtare për rastin.

